STAMBOLL- Ndërsa Turqia vijon të jetë në zi pas sulmit të përgjakshëm terrorist, rritet edhe bilanci i viktimave. Mediat ndërkombëtare flasin për 44 të vdekur dhe mbi 230 të plagosur.

Sakaq të tjera detaje dalin në dritë nga shpërthimi i dy ditëve më parë në aeroportin Ataturk të Stambollit.

Kryeministri turk, Binali Yildirim në një prononcim për mediat bëri të ditur se fillimisht ka shpërthyer një kamikaz jashtë aeroportit, duke shpërqendruar kështu forcat e sigurisë dhe duke i dhënë mundësi të tjerëve të hyjnë brenda aeroportit, aty ku vranë 42 persona dhe plagosën qindra të tjerë.

Duke pasur parasysh këtë dinamikë, “mund të jetë e nevojshme të marrim masa kundër sulmeve të armatosura edhe jashtë aeroporteve. Ne do të rrisë numrin e oficerëve të sigurisë me trajnim të veçantë”,- tha kryeministri turk.

POLICIA TURKE BLITZ ANTI ISIS
Ndërkaq policia turke ka nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm një blitz në vendstrehimet e militantëve të dyshuar si pjesëtarë të ISIS, ku ka arrestuar të paktën 11 persona. Bastisje ka pasur edhe në Izmir e bregdetin e Egjeut, çka çoi në arrestimin e 9 anëtarëve të tjerë të dyshuar të ISIS. Në shtëpitë e tyre janë gjetur 3 pushkë, si dhe disa dokumente që i lidhnin me Kalifatin në Siri.

Gjithashtu ushtria turke njoftoi se të shtunën kishte vrarë 2 të dyshuar si anëtarë të ISIS me shtetësi siriane që po përpiqeshin të kalonin kufirin me Sirinë. Një nga të dy ishte i kërkuar në Turqi, pasi dyshohej të ishte organizatori i sulmeve vetëvrasëse në Ankara dhe Adana.

Sakaq mediat kanë rindërtuar skenën e sulmit terrorist brenda aeroportit


(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb