TIRANE – Grupi organizator i Panairit të 18-të të Librit, që u mbajt javën e shkuar, ka publikuar disa të dhëna lidhur me librin, ku dalin në pah, numri i botimeve të reja dhe titujt më të shitur gjatë pesë ditëve. Botuesit i janë përgjigjur një pyetësori, sipas të cilit, rezulton se për vitin 2015, shtëpia botuese “Ada” ka botuar 82 tituj të rinj, “Toena” 75, “Albas” 52, “Aeditions” 43, “UET Press” 35, ndërsa të tjerat mesatarisht nga 5 deri në 20 tituj. Sipas të dhënave, 5 shtëpi botuese nuk kanë botuar asnjë titull të ri.

Pyetjes tjetër, se cili ka qenë libri më i shitur, shtëpitë botuese i janë përgjigjur: libri “Kandidati” i Ben Blushit është libri më i shitur i panairit: 3500 kopje (UET Press); “Identiteti” i Milan Kunderës në vendin e dytë: 1120 kopje (Dituria); “Rebelimi i Lulusë”, Albatros Rexhaj: 1000 kopje (Pegi); “Ditari i Gregut”, 750 kopje, (Ideart); “Kukulla”, Ismail Kadare, 500 kopje (Onufri), “Të gjallë dhe të vdekur”, Ilirjan Zhupa 500 kopje (Toena). Sa i takon numrit të vizitorëve, edhe pse ka vështirësi në të llogaritur, ka shtëpi botuese që pohojnë se ky numër shkon nga 4000-5000, ndërsa siç thuhet në njoftim, në përgjithësi botuesit janë mjaft të kënaqur nga vëmendja e lexuesit, ashtu sikundër disa shtëpi botuese pohojnë, që ka njëfarë rënieje në numrin e shitjeve krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas këtij pyetësori, rezulton se në panair kanë qenë të pranishëm shumë autorë shqiptarë dhe përkthyes. Ka pasur autorë që kanë dhënë autografe dhe janë takuar me lexuesit e vet. “Toena” ka numrin më të lartë të prezantimeve, me 20 të tillë.

Librat më të shitur
“Kandidati” Ben Blushi 3500 kopje (UET Press)
“Identiteti” Milan Kundera 1120 kopje (Dituria)
“Reb.i Lulusë” Albatros Rexhaj 1000 kopje (Pegi)
“Ditari i Gregut” Jeff Kiney 750 kopje (Ideart)
“Kukulla” Ismail Kadare 500 kopje (Onufri)
“Të gjallë dhe të vdekur”, Ilirjan Zhupa 500 kopje (Toena)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: