TORINO- Shoqata humanitare vullnetare ishte fasada pas të cilës fshihej një trafik i lulëzuar droge e prostitucioni. Këtë e kanë zbuluar karabinierët e Komandës rajonale të Torinos, të cilët mëngjesin e sotëm kanë ekzekutuar urdhrat e arrestit për 8 të dyshuar, mes tyre pesë shqiptarë, një maroken si dhe dy të tjerë italianë. Në të njëjtin hetim ishin arrestuar më parë 5 persona.

Ndërkohë që janë sekuestruar 3 kg marijuanë, një pistoletë gjysmë automatike si dhe 41 mijë euro cash.

Grupi kriminal drejtonte një aktivitet të madh trafiku kokaine dhe marijuane dhe shfrytëzonte 7 vajza, 3 prej të cilave italiane, ndërsa pjesa tjetër nga vendet e lindjes, të cilave iu bëhej një tur edhe në qytete të tjera italiane për të kënaqur kërkesat e klientëve më kërkues, në Leçe, Milano, Genova dhe Romë.

Nga hetimet, të koordinuara nga Prokuroria e Torinos, rezultoi se kapoja i bandës, drejtonte trafikun edhe pse gjendej në arrest shtëpie në selinë e shoqatës vullnetare.
Hetimet provuan se rolet brenda organizatës ishin të mirëpërcaktuara, shenjë që aktiviteti vazhdonte prej kohësh.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb