TIRANE- Personat që kanë aplikuar për Llotarinë Amerikane DV 2016, mund të kontrollojnë sot pas orës 18:00 statusin e tyre përmes faqes së internetit të Programit të Vizave të Shumëllojshmërisë, për të parë nëse janë përzgjedhur për të vijuar aplikimin në Llotarinë Amerikane.

Disa ditë më parë në rubrikën “Pyesni Konsullin”, në faqen e ambasadës amerikane u transmetuan një seri pyetjesh dhe përgjigjesh të përzgjedhura dhe të përgatitura nga Seksioni Konsullor në lidhje me temat në interes të qytetarëve shqiptarë, të cilët dëshirojnë të vizitojnë apo të jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Kjo rubrikë u vjen në ndihmë aplikantëve për një informacion të saktë dhe në kohë.

Nëse ju jeni përzgjedhur – Urime! Lexoni në faqen e ambasadës amerikane, nën paragrafin “Të Përzgjedhurit e Vizave të Lotarisë – Përgatitja për intervistën” për informacion mbi përgatitjen për intervistën tuaj.

Kontrolli i Statusit të tё Regjistruarve është mënyra e vetme që njofton për përzgjedhjen dhe ofron udhëzime të mëtejshme sesi mund të vazhdohet aplikimi, përfshirë edhe njoftimin për datën dhe orën e takimit të intervistës për vizë. Regjistrimet për DV 2016 janë mbyllur më datë 3 nëntor 2014.

Por duhet treguar një kujdes i madh ndaj mashtrimeve. Nëse ju keni marrë një postë elektronike (e-mail) që ju njofton se aplikimi juaj për programin e Llotarisë Amerikane ishte fitues dhe në mënyrë që të vazhdoni me aplikimin tuaj ju duhet të dërgoni një shumë të hollash (para) në emër të një personi, ju jeni viktimë e një mashtrimi.

Vitet e shkuara, aplikantët fitues njoftoheshin nga Departamenti i Shtetit, Qendra Konsullore në Kentucky (QKK) me anë të postës, Jo me e-mail dhe të përzgjedhurve u jepeshin udhëzimet se si të vazhdonin në hapat e mëtejshëm të procesit. QKK-ja nuk ju kërkon juve t’u dërgoni para (të holla) atyre, apo ndonjë Ambasade tjetër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SH.B.A.) me postë apo nëpërmjet shërbimeve si Western Union.

Ndërkaq, të gjithë aplikantët e lotarisë së Vizave të Shumëllojshmërisë (DV) këshillohen të shqyrtojnë udhëzimet mbi kriteret e kualifikimit të arsimimit dhe punësimit para se të aplikojnë. Aplikanti kryesor (ai që është përzgjedhur në bazë të numrit të aplikimit) duhet të ketë arsimim apo punësim të kualifikueshëm me qëllim që të kualifikohet për një vizë të programit të lotarisë së DV-së.

KONTROLLONI PER TE PARE NESE JENI FITUES
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: