Në tokën e askujt, ndërmjet Serbisë e Kroacisë është “shpallur shteti sovran e i pavarur “ më i vogli në Ballkan me gjithsej 7 kilometra katrorë.
Ky shtet quhet Liberland në të cilin “kryetari i saj”, çeku Vit Jedliçka, fton të gjithë ata që respektojnë parimin “jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë” e që nuk janë ekstremistë”.

“Liberland” shtrihet në brigjet e Danubit ndërmjet Baçkës së Monoshorit dhe Zmajevcit.

Jedliçka pohon se “shteti” është krijuar krejtësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare sepse është bazuar në tokën e askujt të cilën në kuadër të kufizimit ndërmjet vetes nuk e kanë kërkuar as Serbia e as Kroacia.

“Qëllimi i krijimit të shtetit të ri është formimi i shoqërisë në të cilën mund të prosperojnë njerëzit e ndershëm e të cilëve shteti të mos ua bëjë të hidhur jetën me ndalesa të panevojshme e tatime”, shkruan në sajtin e “shtetit”, raporton “Blic” në Beograd.

“Njëra nga arsyet e themelimit të Liberlandit është ndikimi gjithnjë e më madh i grupeve të interesit për funksionimin e shtetit dhe kushtet gjithnjë e më të këqija për jetë të njerëzve. Themeluesit i ka frymëzuar Monaco, Lichtensteini ose Hong Kongu”, transmeton Koha.net

Vit Jedliçka, nga partia margjinale djathtiste e afërt me ish- kryetarin e Çekisë Vaclav Klaus, ka shfaqur shpresën përmes deklaratës se “Liberlandin e pavarur e sovran fillimisht do ta njohin Serbia e Kroacia” të cilave ai është duke u përgatitur për t’ua dërguar notat diplomatike lidhur me njohje e pastaj atë do ta njohin edhe vendet e tjera të botës.

“Liberland” ka flamurin, stemën, “kushtetutën” e “ligjet”, e edhe pse flamuri i saj është valvitur javën e shkuar, tashmë “shteti” ka filluar edhe me dhënie të shtetësisë dhe fton që ta marrin këtë të gjithë me kusht që të mos jenë komunistë, neonazistë ose ekstremistë por nuk i do kriminelët e të dënuar për vepra të rënda penale.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: