TIRANE – ZV/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi ishte i ftuar ditën e sotme në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24 për të folur për situatën e përmbytjeve në vend.

Koçi tha se situata paraqitet e vështirë në Shkodër, ku reshjet kanë qenë të pandërprera dhe duket se do të vazhdojnë sërish, shkruan BalkanWeb.

Zv/ministri tha se Emergjencat Civile nuk i kanë kapacitetet e nevojshme për të ndërhyrë prandaj është e nevojshme ndihma e Forcave të Armatosura.

Megjithatë Koçi tha se ende nuk është nevoja për të shpallur gjendjen e emergjencës, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të opozitës.

“Është një situatë e rënduar se ka reshje të pandërprera, dhe duket se do vazhdojnë sërish. Shumë njësi administrative të Shkodrës, komuna të ndryshme e rrethina paraqesin vështirësi. Ka goxha sipërfaqe toke nën ujë. Na është dashur me FA të ndërhyjmë në atë zonë për një periduhë më të gjatë se herët e tjera. Janë dërguar materiale të ndryshme për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Duket që prurjet në lumenj janë shumë të larta. Pavarësisht se hidrocentralet derdhin diçka më pak, gjithsesi është sasi shumë e madhe,” tha Koçi

Mund të hapet një front i dytë në jug, në lumin Vjosë?

“Në rast se do kishim dy fronte të mëdha, do na duhej të vinim kapacitetet të tjera që ka Ministria e Mbrojtjes, por nëse do të duhet do vëmë në përdorim gjithçka kemi mundësi. Në rastin e kaskadës së Drinit, duhet parë mirëmenaxhimi i kaskadës, në rastin e Vjosës, situata është rënduar për shkak të rrugës Fier-Vlorë edhe kryeministri ka dhënë urdhër për ta riparë këtë çështje se nëse vazhdohet kështu do ketë situata të rënduara.

Vetë drejtoria e emergjencave nuk ka kapacitete për të menaxhuar këto lloj vështirësish, prandaj kalohet tek Ministria e Mbrojtjes. Por janë disa institucione që koordinohen për të përballuar situata të tilla. Bashkia e Shkodrës nuk ka kapacitete, dhe buxheti është i vogël për t’u marrë me këto.  Nuk është situata e tillë që të shpallësh gjendjen e fatkeqësisë natyrore,” u shpreh Koçi

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: