CERRIK- Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame i shoqëruar nga ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, deputeti i zonës Musa Ulqini, prefekti Arben Kamami, kryetari i Bashkisë Altin Toska si dhe drejtori i drejtorisë së ALUIZNI-t, Elbasan Mariglen Disha kanë ndarë 200 leje legalizimi në bashkinë e Cërrikut. Lame që në fillim të komunikimit me qytetarët e Cërrikut ka bërë një rezyme të situatës sa i takon ndërtimeve informale në këtë zonë. Ai tha se në 8 vite qeverisja Berisha ka legalizuar vetëm 6 objekte.

“Është hera e parë në këto tre vjet që ne vijmë në qytetin tuaj për problematikat e legalizimeve, sepse e tillë erdhi situata, mund ta themi më poshtë më me hollësi se si ka vajtur procesi deri tani, por ajo që premtojmë është që procesi do të vazhdojë me rritme shumë më të forta. Cërriku varet nga drejtoria e ALUIZN-it Elbasan që përfshin gjithë qarkun Elbasanit dhe ka afërsit 4 mijë vetdeklarime. Në gjithë këtë masë vetëdeklarimesh sipas raportit të bërë nga Drejtoria e Legalizimeve në Elbasan nga periudha 2006-2013, për fat të keq janë bërë vetëm 6 legalizime në këtë zonë. Nga 2013 deri më sot situata ndryshoi, nuk është çështja vetëm për të bërë krahasime, sepse ju e keni ndjekur vetë në të gjithë Shqipërinë se si po ecën procesi, por është fatkeqësi ndonjëherë se si një zonë kaq e madhe dëgjon shifra të tilla legalizimesh në të gjithë zonën. Deri tani është matur një pjesë e mirë e kësaj zone janë bërë matjet nëpër objekte dhe me gjithë legalizimet e sotme. Në 200 legalizimet e sotme ne shkojmë në 250 legalizime, por prap nuk është ky ritmi që i lejojmë vetes, sepse tani që e gjithë zona është hedhur në sistem, rritmi do jetë shumë më i madh”, tha Lame.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb