BEOGRAD- Pas protestave që shpërthyen në Serbi kundër fitores së Aleksandar Vuçiç në zgjedhjet presidenciale, ky i fundit ka reaguar duke thënë se nuk ka asgjë të keqe me protestat për sa kohë që ato janë paqësore.

“Ne jemi një vend demokratik dhe të gjithë kanë të drejtë që të jenë të lumtur dhe të palumtur me rezultatin e zgjedhjeve. Mendoni nëse unë do të thërrisja mbështetësit e mi që të mblidheshin për të festuar fitoren time”, deklaroi Vuçiç përpara gazetarëve.

Megjithatë ai nënvizoi se nuk ka kohë për protesta dhe se të gjithë duhet të fokusohen te puna.

“Ata që kanë kohë për të protestuar, le të protestojnë, për aq kohë sa është paqësore. Shpresoj mos të shikojmë papërgjegjshmërinë e politikanëve të cilët më parë kanë bërë thirrje për dhunë”.

Dhjetëra mijëra njerëz, pjesa më e madhe e tyre të rinj dhe studentë, protestuan për orë të tëra duke bllokuar edhe trafikun në Beograd. Protestuesit goditën ndërtesën e Parlamentit serb me vezë, ndërsa lëshuan një sërë thirrjesh ofenduese kundër presidentit të sapo zgjedhur.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: