TIRANE-Pesë persona janë plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë si pasojë e një shpërthimi në një lokal në zonën e Vaqarrit në kryeqytet. Lokali ndodhet pranë një karburanti tek ‘Ura e Beshirit’.

Paraprakisht dyshohet se shpërthimi ka ardhur si pasojë e rrjedhjes së një bombole gazi, ndërsa lokali është përfshirë nga flakët duke shkaktuar dëme të mëdha.

Të plagosurit janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa 2 prej tyre janë në gjendje të rëndë. Të plagosurit janë E. L., 24 vjeç, N. H., 23 vjeç, A. L., 53 vjeç, L. D., 48 vjeç, M. M., 38 vjeç.

Njoftimi i policisë:

Në zonën e Vaqarrit, tek një lokal pranë një karburanti ka ndodhur një shpërthim.
Si pasojë e shpërthimit kanë mbetur të dëmtuar 5 shtetas, ku dy prej tyre ndodhen në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Nga hetimet paraprake rezulton se pika e furnizimit të pikës së karburantit me lendën djegëse benzinë, ndodhet në brendësi të lokalit, ku gjatë furnizimit të kësaj pike karburanti dyshohet se ka ndodhur një reaksion kimik duke kthyer lëndën djegëse të benzinës nga të lëngët në të gaztë.

Si pasojë e një shkëndie elektrike në ambientet e lokalit është shkatuar ndezja e lëndës duke shkaktuar edhe shpërthimin ku mbetën të dëmtuar shtetasit:

– E. L., 24 vjeç
– N. H., 23 vjeç
– A. L., 53 vjeç
– L. D., 48 vjeç
– M. M., 38 vjeç

Grupi hetimor në vendin e ngjarjes po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.
(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: