TIRANE – Drejtuesi i emisionit “Xhungël”, Artan Hoxha ka zbardhur detaje në lidhje me autorët e vendosjes së eksplozivit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në orët e para të mëngjesit të sotëm.
I ftuar në rubrikën “Opinion”, gazetari Hoxha tha se kamerat e sigurisë së një biznesi privat kanë filmuar një person me kapuç, i cili zbret nga biçikleta, dhe në harkun kohor të 30 sekondave vendos minën në kondicionerin e farmacisë.
Hoxha thekon se mina e vendosur në farmacinë e babait të ministrit përmban rreth 400 gramë tritol. Sipas tij, autori nuk mund të identifikohet nga pamjet e siguruara, pasi cilësia e kameras ka qenë shumë e dobët. Ndër të tjera, gazetari Hoxha shprehet i bindur se tre shpërthimet e sotme në Tiranë kanë lidhje me njëra-tjetrën.
“Vendosja e eksplozivit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm është regjistruar nga një kamera e cila ka qenë e vendosur pranë një biznesi në vendin e ngjarjes. Duket një person me biçikletë, me një xhup, me kapuç në kokë. Nuk dallohet qartë nëse ka dhe maskë, sepse është shumë e errët pamja. Ai shkon qetësisht me biçikletë, në një rrugë të boshatisur, e parkon biçikletën në anë të trotuarit dhe sapo zbret nga biçikleta nxjerr një pajisje nga poshtë xhupit, që dyshohet të jetë mina. Diçka lëviz me dorë dhe pa humbur kohë, shkon kacavirret në faqen e murit dhe vendos minën në hapësirën mes kondicionerit dhe murit. Zbret që andej, hipën biçikletën dhe largohet. Nga informacionet që kam unë, në të trija rastet kemi të bëjmë me mina që kanë në përbërje të tyre 400 gramë tritol, dy kallëpe tritoli. Këto janë tre mina që janë ndërtuar në Shqipëri nga një njohës i mirë i lëndëve eksplozive.”- deklaroi Hoxha.

SHPERTHIMET
Një seri shpërthimesh tronditën Tiranën mëngjesin e sotëm. Objektiv i shpërthimit ishte farmacia e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe shtëpia e shefit të Policisë Alfred Numani. Sasia e tretë e lëndës eksplozive u gjet në një stacion autobusi pranë “Vasil Shantos” dhe u shpërthye në mënyrë të kontrolluar nga policia. Prokuroria ka nisur hetimet për 3 aktet terroriste duke vlerësuar mundësinë e lidhjes mes tyre.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb