SHBA- Kreu i Shtetit Bujar Nishani, në prani të shumë figurave të njohura politikanësh dhe personalitete të ndryshme të Nju Jork-ut mori pjesë në një veprimtari gjatë së cilës u shfaq filmi “Besa-The promise” nga fotografi i njohur amerikan, Norman Gershman, autor i ekspozitës “BESA: A Code of Honor” me shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit.

Gjatë kësaj ceremonie në shenjë mirënjohjeje për shpëtimtarët e guximshëm shqiptarë të të gjitha shtresave, IRWF (Fondacioni Raul Wallenberg) në emër të drejtuesve të tij Baruch Tenembaum dhe Eduardo Eurnekian i dorëzoi Presidentit Nishani Medaljen “Raoul Wallenberg”.

Duke shprehur mirënjohjen për këtë nderim Presidenti Bujar Nishani theksoi se ndihej  krenar për vlerësimin dhe se e pranon atë “në emër të gjithë popullit shqiptar, në emër të gjithë atyre Njerëzve të Drejtë mes Kombesh shqiptarë si një meritë dhe njohje e shpirtit të tyre fisnik në mbrojtje të vlerave dhe jetës njerëzore, e cila është gjëja më shtrenjtë në botë, pavarësisht nëse i përket një hebreu, myslimani apo të krishteri!”

“Liria është gjëja më e shtrenjtë për qeniet njerëzore, por akoma më e vështirë është që njeriu të çlirohet dhe të këpusë vargonjtë e mendjes duke lënë pas njëherë e përgjithmonë antisemitizmin, racizmin, shovinizmin, komunizmin, përndjekjen, totalitarizmin, terrorizmin”, – theksoi Presidenti Nishani.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb