Dje në mbrëmje, gjatë javës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, u prezantua Aleanca ndërkombëtare për një tregti të lirë nga torturat. Shqipëria është një ndër vendet që i është bashkuar Aleancës. Nisma – një përpjekje e përbashkët e Bashkimit Evropian, Argjentinës dhe Mongolisë, me një numër total prej 58 vendesh pjesëmarrëse – synon të ndalojë tregtinë e mallrave që përdoren për ekzekutimin e dënimeve me vdekje dhe për ushtrimin e torturave.

Ligji ndërkombëtar e ndalon torturën në çfarëdo lloj rrethane. Megjithatë, pajisje vdekjeje dhe dhimbjeje ende tregtohen në mbarë globin. Ato përfshijnë shkopinj gome me maja metalike, breza me shok elektrik, morsa që mbajnë njerëzit ndërsa u bëhet shkarkesë elektrike, kimikate që përdorura për të ekzekutuar njerëz dhe sistemet e injeksioneve të detyrueshme që i shoqërojnë.

“Këto produkte nuk kanë synim tjetër veçse të shkaktojnë dhimbje të tmerrshme dhe të vrasin njerëz. Tani ne po ndërmarrim masa konkrete për t’i dhënë fund kësaj tregtie të neveritshme. Jam e lumtur që kaq shumë vende në mbarë globin kanë nënshkruar për t’iu bashkuar Deklaratës dhe kësaj Aleance. Duke qëndruar së bashku, ne demonstrojmë se nuk do ta tolerojmë më këtë tregti”, tha Komisionerja për Tregtinë e Bashkimit Evropian Cecilia Malmström.

Prezantimi, pa 58 vende nga e gjithë bota – Afrika dhe Amerikat, Evropa dhe Azia – të miratonin një deklaratë të përbashkët politike. Duke iu bashkuar Aleancës vendet kanë rënë dakord për katër pika veprimi:
• Të marrin masa për të kontrolluar dhe kufizuar eksportet e këtyre mallrave;
• Të pajisin autoritetet doganore me mjetet e duhura. Aleanca do të krijojë një platformë për monitorimin e flukseve të tregtisë, shkëmbimin e informacionit dhe identifikimin e produkteve të reja;
• Vënin në dispozicion të asistencës teknike për t’i ndihmuar vendet për hartimin dhe zbatimin e ligjeve për ndalimin e kësaj tregtie;
• Shkëmbimin e praktikave për kontrollin efikas dhe sistemet ligjzbatuese.

Pjesërisht si pasojë e rregullave më të ashpra në BE dhe gjetkë, barnat për injeksionet vdekjeprurëse dhe mallrat e torturës janë bërë më të vështira për t’u gjetur dhe më të shtrenjta për t’u blerë.

Megjithatë, prodhuesit dhe tregtarët e këtyre mallrave përpiqen t’u shmangen këtyre ligjeve, ndaj sa më shumë vende të angazhohen për t’i ndaluar këto eksporte, aq më efektive do të jenë përpjekjet për t’i dhënë fund tregtisë. Aleanca për një Tregti të lirë nga Tortura është një mënyrë për të ndërmarrë hapa specifikë për ta ndaluar tregtinë e këtyre mallrave globalisht, duke e bërë shumë më të vështirë gjetjen e tyre.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb