TIRANË- Duke përforcuar edhe njëherë tezat e tij për identitetin europian të shqiptarëve, gjatë intervistës në “Studion e Hapur” në News 24, shkrimtari i njohur Ismail Kadare komentoi edhe “fatin” e shqiptarëve dhe ëndrrën europiane të parealizuar ende.

Ndërsa bëri përgjegjës për tranzicionin elitat politike, shkrimtari bëri një parashikim optimist kur tha se, “Shqipëria po kalon një moment mjaft të favorshëm.

-Politika shqiptare nuk është në gjendje të na japë një datë se kur Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Ju si mendoni, është e largët ajo ditë?

Unë shpresoj të jetë më e afërt se ç’mendohet. Shpresoj. Do të duket sikur largohet, por do të afrohet.
-Ne themi shpesh në diskursin publik që jemi ende në tranzicion. A mendoni që ka zgjatur shumë ky tranzicion?
Po mua nuk më turpëron fjala tranzicion. Nuk mendoj se është e tillë që të krijojë dëshpërim. Tranzicioni mund të jetë edhe i gjatë, s’ka gjë.

-Nuk ju ka lodhur domethënë? Mund të vazhdojë ende?
Edhe pak.

-Po kush e ka fajin për këtë? Ajo që dua t’u pyes në fund është a e shikoni klasën politike shqiptare përgjegjëse për këtë tranzicion të gjatë e për shumë nga gjërat që nuk shkojnë si duhet në Shqipëri?
Sigurisht e shikoj.

-A është politika shqiptare përgjegjësja kryesore për situatën sot?
Zakonisht elitat politike janë përgjegjëse për këtë. Qëllon që nuk janë vetëm ato, ndoshta nuk janë vetëm ato, por janë ndër kryesoret ato.

-Në këtë moment, në perceptimin tuaj, të shkrimtarit Kadare, çfarë momenti po jeton Shqipëria? Në çfarë momenti jemi?
Në moment tepër të favorshëm.

-Në lidhje me çfarë?
Me gjithçka. Po që nuk e shikojmë, siç shpesh momentet e favorshme, syri mjegullohet dhe nuk i dallon mirë.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: