TIRANE– Ministria e Kulturës së Shqipërisë, në përfundim të Konferencës së tretë Ministeriale “Nxitja e Kulturës për Zhvillim të Qëndrueshëm” ka firmosur marrëveshjen e parë për bashkëpunim kulturor me Serbinë.

Qëllimi i këtij programi bashkëpunimi kulturor është të zhvillojë dhe mbështesë bashkëpunimin kulturor mes institucioneve dhe organizatave të ndryshme të të dyja vendeve, në shkëmbimin e përvojave dhe realizimin e politikave në art-kulturë dhe trashëgimi kulturore, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, UNESCO-s, në përpjekje për të ndërtuar dhe nxitur marrëdhënie të mira dhe për të forcuar bashkëpunimin kulturor mes palëve. Marrëveshja u nënshkrua nga dy ministrat e Kulturës, ai serb, Vladan Vukosavljevic dhe ministrja shqiptare, Mirela Kumbaro.

Ministri serb e vlerësoi këtë si një moment historik për bashkëpunimin kulturor mes vendeve, ndërsa shprehu vullnet të plotë për të mbështetur maksimalisht çdo nismë kulturore mes dy vendeve. Veç nënshkrimit të marrëveshjes me palën serbe, ministrja Kumbaro zhvilloi takimin bilateral me homologen greke, Lydia Koniordou.

Gjatë takimit dy ministret diskutuan rreth çështjeve të artit dhe trashëgimisë kulturore, ku u ra dakord për nevojën e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes dy vendeve, për të konkretizuar projektet për të cilat u fol.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: