Shqipëria ka përfomuar nën mesataren e Rajonit dhe vendeve të tjera në tranzicion në gjashtë komponentët që vlerësojnë reformat për zhvillim sipas Raportit të Tranzicionit për 2017-2018 që publikoi Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ( BERZH). Në një vlerësim nga 1 tek 10, ku nota më e lartë shpreh vlerësim të mirë Shqipëria ka marrë dobët në mirëqeverisjen. BERZH ka vlerësuar me rreth 4 pikë shërbimet e qeverisë. Ky vlerësim ishte poshtë mesatares së vendeve të Europës Juglindore dhe mesatares se vendeve në Tranzicion. Vendi ynë mori gjithashtu vlerësim të dobët edhe në politikat e konkurrencës së drejtë në tregje dhe fleksibilitetit të reformave, duke u vlerësuar më pak se mesatarja pesë pikë. Shqipëria ka marrë vlerësim më pak se 5, për reformat në çështjet e integrimit në BE, në mbrojtjen e klimës dhe gjithëpërfshirjes.

Vendet ku investon Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ku bën pjesë edhe Shqipëria kanë nevojë për një model të ri rritjeje për t’i ndihmuar ata të kalojnë në një epokë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në të ardhmen, thuhet në raportin më të fundit vjetor të BERZH. Raporti i Tranzicionit vë në dukje se rritja ekonomike në vendet me të ardhura të mesme ku bën pjesë edhe Shqipëria ka mbetur mbrapa asaj që vihet re në tregje të ngjashme. Kurthi i të ardhurave të mesme po i mban vendet mbrapa për të kaluar një nivel më lart. BERZH rekomandon që modeli i ri duhet të fokusohet në tri fusha kyçe: Përmirësimi i produktivitetit të kompanive, investimet në infrastrukturë dhe respektimi i mjedisit.

Në parathënien e tij, për Raportin e Tranzicionit, Shefi Ekonomist i BERZH Sergei Guriev nuk nënvlerëson sfidat me të cilat ballafaqohen ekonomitë në tranzicion në përpjekjen e tyre për të mbështetur rritjen. “Nuk ka asnjë plumb argjendi, asnjë zgjidhje madhështore”, thotë ai. Por profesori Guriev sheh optimizëm në sfond. “Duke forcuar institucionet, duke mbështetur inovacionin, duke integruar kompanitë e tyre në ekonominë globale dhe duke investuar në infrastrukturë të qëndrueshme, vendet e rajonit të BERZH do të jenë në gjendje të përfundojnë kalimin e tyre në ekonomi të tregut të qëndrueshëm”, tha ai. Raporti bën një sërë rekomandimesh politike dhe thotë se hartuesit e politikave duhet të përqendrohen në krijimin e një loje të njëtrajtshme që ndihmon bizneset e reja inovative të rriten. Ai gjithashtu thotë se autoritetet duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje tregjeve fleksibël të punës dhe kapitalit, si dhe të hartojnë politika më të mira të konkurrencës për të lehtësuar ri-shpërndarjen e burimeve.

Përveç kësaj, qeveritë mund të ndihmojnë firmat dhe industritë të përmirësojnë performancën e tyre duke mbështetur integrimin e tyre në zinxhirët e vlerave globale, thotë raporti. Duke theksuar rëndësinë e rrjeteve efektive të infrastrukturës, raporti thotë se shumica e ekonomive në rajonin e BERZH-it kanë nevojë për shpenzime të mëdha për të ruajtur, përmirësuar dhe zgjeruar infrastrukturën e tyre për të mbështetur rritjen ekonomike dhe për të ndihmuar nivelet e të ardhurave të konvergojnë me ato të ekonomive të përparuara. Nevojat e përgjithshme të infrastrukturës në 1.9 trilion euro për pesë vitet e ardhshme.

BERZH merr si shembull Turqinë, ku përmirësimi i rrjetit rrugor të vendit pati një ndikim të madh pozitiv në tregtinë e brendshme midis provincave. “Kjo dëshmi nga Turqia ofron një pasqyrë të re mbi përfitimet e konsiderueshme që përmirësimet në integrimin e tregut mund të kenë për punësim dhe zhvillim në rajonet më të izoluara “, thuhet në raport. Raporti i Tranzicionit sheh gjithashtu një lidhje të fortë midis mbrojtjes së mjedisit dhe rritjes ekonomike./monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: