NGA: Shaban Murati
Një nga dobësitë e të gjitha qeverive shqiptare në fushën e diplomacisë ka qenë pazotësia ose neglizhenca për t‘u bërë të qartë shteteve të tjera se Kosova është çështje e pandarë e kombit shqiptar, pra edhe e interesit jetik të Shqipërisë. Kjo dobësi konsiston në faktin që kërkesat tona për njohjen e Kosovës nuk janë shoqëruar me vepra dhe me veprime, që ndikojnë në dinamikën diplomatike me shtetet e tjera. Duke mos qenë koha të rendim nëpër faqet e historisë së diplomacisë shqiptare të periudhës postkomuniste për të parë çfarë është bërë keq, po ndalemi në raportet me Serbinë dhe më konkretisht në një rast të ditëve të fundit, për të kuptuar si duhet bërë mirë. Në datën 8 nëntor zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, njoftoi në një konferencë në MPJ: “Unë dua të shpreh gatishmërinë e Republikës së Serbisë për të filluar së shpejti procedurën për të marrë statusin e anëtarit të plotë të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë”.

Një diplomaci e kujdesshme shqiptare nuk mund ta neglizhojë këtë sinjal dhe pikërisht për këtë unë po tërheq vëmendjen. Është një rast i artë që Shqipëria të demonstrojë me vepra përballë Serbisë se kërkesën për njohjen e Kosovës Tirana nuk e ka thjesht retorikë diplomatike.

Shqipëria është që nga viti 1999 anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, ONF. Në statutin e kësaj organizate thuhet tekstualisht se “shtetet që duan të bëhen anëtare të ONF duhet të bëjnë kërkesë zyrtare. Është samiti i Frankofonisë që mbi bazën e rekomandimit të konferencës së ministrave vendos nëse duhet pranuar ose jo aplikanti i ri. Ky vendim duhet të merret në mënyrë unanime”. Kjo do të thotë që Shqipëria ka të drejtën e vetos si të gjithë anëtarët e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë për të pranuar ose jo një anëtar të ri. Praktika diplomatike, logjika dhe interesi ynë sugjerojnë që Shqipëria nuk mund të mos e vlerësojë këtë rast për ta përdorur të drejtën e vetos në dobi të sanksionimit të njohjes ndërkombëtare të Kosovës, dhe më konkretisht nga Serbia. Kjo do të thotë që Shqipëria nuk mund t’i lejojë vetes ta anashkalojë këtë rast të përshtatshëm diplomatik pa kërkuar asgjë nga aplikanti i ri, Serbia. Shqipëria nuk mund të vazhdojë më praktikat e mëparshme të gabuara, që ka ndjekur në të kaluarën, kur pa u kërkuar asgjë për Kosovën, lejoi Rusinë të bëhej shtet vëzhgues në Konferencën e Bashkëpunimit Islamik dhe lejoi Moldavinë të futej në organizatën rajonale të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore, SEECP. Shqipëria duhet të përdorë të drejtën e vetos për të mos lejuar që Serbia të pranohet në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë pa bërë kompromiset e duhura për Kosovën. Përse Shqipëria duhet ta ndërmarrë këtë hap?

Së pari, sepse Shqipëria ka për detyrë që t‘i tregojë Serbisë që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë dhe bashkëpunimi i tyre në organizatat dhe në forumet ndërkombëtare e rajonale nuk mund të jetë i plotë dhe as reciprok nëse Serbia nuk merr në konsideratë kërkesat shqiptare për njohjen e Kosovës dhe vazhdon bllokimin e saj në organizimet ndërkombëtare. Së dyti, Shqipëria duhet të përdorë të drejtën e vetos së saj për anëtarësimin e Serbisë në ONF, sepse kështu pastron rrugën e Kosovës për anëtarësim në ONF. Kosova është pranuar si shtet me statusin e vëzhguesit në ONF në nëntor të vitit 2014. Por nëse Shqipëria do të lejojë që Serbia të anëtarësohet në ONF përpara Kosovës, kjo do të krijojë situatën që Serbia të bllokojë dhe të mos lejojë Kosovën të bëhet anëtare e kësaj organizate. Pra, Serbia do të përsërisë bllokadën, që po bën për Kosovën në UNESCO. Shqipëria mund ta lejojë anëtarësimin e Serbisë në ONF duke i vënë kushtin që Serbia të mos pengojë pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Dhe kjo nuk realizohet me premtime boshe nëpër tavolina koktejesh, por bëhet me marrëveshje të shkruara ose me shkëmbime notash zyrtare midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Së treti, ka ardhur dhe madje ka kaluar koha që Shqipëria duhet të reagojë edhe në rrugë diplomatike, edhe në rrugë publike, ndaj fenomenit të shëmtuar të bllokimit dhe të pengesave, që Serbia po i bën pranimit të Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Serbisë i duhet bërë e qartë se kjo politikë obstruksioniste e saj ka pasoja dhe efekte dhe konsiderohet armiqësore jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj Shqipërisë. Tirana duhet të jetë e para që duhet t’ia vizatojë këtë vijë të kuqe Serbisë. Shqipëria duhet të reagojë ndaj veprimtarisë negative të Serbisë në organizatat dhe në forumet ndërkombëtare, që pengon Kosovën të anëtarësohet në to. Nëse Tirana nuk reagon për bllokimin që Serbia po i bën Kosovës në UNESCO apo në Interpol apo në organizata të tjera ndërkombëtare, kjo interpretohet në Beograd jo vetëm si dobësi e Shqipërisë, por edhe si provë që Shqipëria nuk e konsideron Kosovën pjesë të çështjes së saj kombëtare. Nuk mendoj se flet në favor të heshtjes së Shqipërisë fakti që Serbia ka nënshkruar në prill të vitit 2013 marrëveshjen me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve dhe për mospengimin e integrimit europian të Kosovës në BE dhe nga ana tjetër zhvillon një veprimtari intensive, madje histerike, kundër njohjeve të Kosovës dhe kundër pranimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Në datën 9 nëntor ministri i Jashtëm serb Daçiç, me mburravecërinë tipike rurale ballkanike, u lavdërua se vendimi i Prishtinës për të shtyrë aplikimin për pranimin e Kosovës në UNESCO ishte një fitore e madhe e Serbisë dhe se me këtë rast “Ne mundëm SHBA, Britaninë, Francën, Gjermaninë, Turqinë, Arabinë Saudite”. Ministri i Jashtëm serb nuk e përmendi fare Shqipërinë. Shqipëria e ka për detyrë t’i kujtojë Serbisë se kështu nuk mund të vazhdohet dhe se Serbia duhet të respektojë marrëveshjet dhe normat e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të bashkëpunimit rajonal.

Së katërti, sanksionimi i statusit ndërkombëtar të Kosovës si shtet i pavarur me të drejta të plota të anëtarësimit në OKB dhe në gjithë organizatat ndërkombëtare është pjesë e çështjes jetike kombëtare të kombit shqiptar dhe si e tillë është prioritet i rëndësishëm i Shqipërisë dhe i diplomacisë së saj. Kjo do të thotë që Shqipëria në veprimtarinë e saj ndërkombëtare duhet t’i bëjë të qartë Serbisë, Rusisë dhe të tjerëve, se nuk mund të avancohen marrëdhëniet me Shqipërinë nëse ato dëmtojnë interesat jetike të Shqipërisë, ndër të cilat është edhe Kosova. Shqipëria duhet të marrë pak shembull nga përvoja e diplomacisë greke, e cila që prej 25 vitesh po u bën rreshtore diplomacisë, qeverive dhe shtetit shqiptar për minoritetin grek.

Është koha që Shqipëria të jetë më agresive dhe më e guximshme në mbrojtjen e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe rajonale. Miqtë dhe jomiqtë në arenën ndërkombëtare të vlerësojnë dhe të marrin në konsideratë kur i ngre hapur dhe me forcë problemet dhe interesat shtetërore e kombëtare dhe jo kur hesht për to. Ndaj sugjerimi im për qeverinë e Shqipërisë është që të përdorë të drejtën e vetos për anëtarësimin e Serbisë në Frankofoni, si një mundësi e re për mbrojtjen e interesave të Kosovës, të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar./GSH.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb