NGA EVA KUSHOVA*

Një valë e madhe njerëzish tashmë janë larguar nga Shqipëria. Statistika të sakta nuk ka. Zonat më të prekura janë Kukësi dhe fshatrat e Fierit e Vlorës. E kemi pranuar në heshtje se eksodi masiv ka ndodhur, por për arsyen jemi ndarë në kampe. Sigurisht Qeveria jep lloj lloj argumentesh, por jo ate ekonomik, ndërsa opozita e nxin fare duke thenë se qeveria Rama duhet rrëzuar. Siç është ndarë politika, janë ndarë dhe mediat. Mediat tona e thonë të verteten sipas partive.

Meqe vendi më i preferuar i shqiptarëve për azil është Gjermania, gazetarët gjermanë kanë ardhur vetë në Shqipëri këto ditë të zbulojnë Pse-në. Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ.net) shkruante një artikull të gjatë për Shqipërinë, ku fillimisht jepej përshtypja e parë, që Shqipëria është vend i sigurt, nuk ka luftë, nuk ka uri, njerëzit kanë makina mercedez ndërsa jugu i Shqipërisë duket si jugu i Francës, Atëherë përse ikin Shqiptarët? Warum?

Dhe përgjigjen e gjejnë përmes një udhëtimi në Shqipëri, duke pyetur si intelektuale dhe njerëz të varfër. Arsyeja është e qartë që eshtë ekonomike. Kjo duket te dëshmitë e gjithë të intervistuarve, dikush ska punë, diku ska ujë etj. Por shqiptarët të varfër kanë qenë, përse duhej të vinte titullin: Shqipëria vendi që s’ka të ardhme? Kjo është shumë e rëndë për t’u shkruar për një vend që sapo ka bërë një rotacion te shumepritur pushteti, për një vend që po sheh një bum turistik, për një vend që sapo e ka vizituar vetë kancelarja Merkel.

Arsyeja qëndron te mungesa e shpresës për të ardhmen. Nuk është e vështirë për t’u kuptuar. Të intervistuarit mendojnë se qeveritë janë njësoj, mendojnë për vete dhe jo për popullin. Absolutisht votuan për ndryshimin dy vite më parë; e pranojnë se z. Rama është kryeministri më vullnetmirë deri më sot; qeveria duket sikur punon më shumë se ajo e mëparshmja, se po bën reforma. Por reformat për momentin u kane shtrenguar rripin. Reformat nuk kanë mbërritur për mirë te populli. Nëse bën reformë, alternativat në rast dështimi duhet t’i kesh poshtë tryezës. Dakord qe te gjithe duam të ketë shtet, por kur shteti të shtrëngon aq shumë sa ti s’ke ç’të çosh më në shtëpi për fëmijët, atëherë ai nuk është shtet që mendon për ty. Absolutisht duhet kushdo të paguajë energjinë elektrike, taksat, por shteti social me njerën dorë t’i merr, me tjetrën t’i jep, permes kompesimit, asistencës sociale, punësimit, uljes së çmimeve të shportës, karburantit etj etj. Dakord qe njerezit nuk duhet të shesin në rrugë, vend e pa vend, por kur ti e heq nga rruga, duhet të mendosh çfarë do t’u çojë ai fëmijëve në shtëpi, gjeji një mundësi tjetër. Reformat duartrokiten, por jo kur njerezve nuk u jep alternativa. Ekziston një perceptim popullor se ky vend nuk bëhet, se sado te nderrohen qeverite, perfitues do jene ata qe kane lidhje me partite, pak besojnë se do luftohet ndonjëherë korrupsioni, apo se drejtësia do jetë ndonjëherë në anën e të varfërve. Pak mendojnë se qyteti apo fshati i tyre do lulëzojë pas zgjedhjeve të fundit lokale. Qeveritë u ndërruan, por për të varfrit jeta vazhdon njësoj. Ata duhet të mbeshteten vetem te krahët e tyre.

Edhe ‘Der Spiegel’ botoi vetem një ditë më vonë të njëjën dramë. Shqiptarë të dëshpëruar të intervistuar në Kukës e Novoselë. Një video që tregon një djalë më shkollë të lartë, i cili rrëfen dhe arsyet e tij përse ikën. Puna në bujqësi thotë ai është e vështirë dhe aspak me fitim, ndërkohë që alternativat dhe ndihma e shtetit është zero. Gjermanët s’kanë ndroje ta thonë të vertetën që shohin. Ne vazhdojme ta shohim këtë dramë në dy këndvështrime, siç e shohin partitë. Por përgjigja e kësaj drame është vetëm një. Pse ikin shqiptarët? Sepse për momentin, Shqipëria duket vend pa te ardhme. Me vonë nuk i dihet… ndoshta gjithçka ndryshon për mirë.

http://evakushova.blogspot.com/2015/08/shqiptaret-po-ikin-pse-ne-e-zbulojne.html?spref=fb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: