SHKUP- Subjektet politike shqiptare e cilësojnë si të papranueshëm planin e VMRO DPMNE-së për dalje nga kriza. BDI hedh poshtë pretendimet e partisë së Gruevskit të ketë pasur përzierje nga shtetet e huaja në çështjet e brendshme të vendit, ndërkohë që i bëri thirrje VMRO-së që të pranojë rolin e saj si opozitë dhe zhbllokojë punën e Kuvendit.

“Në Maqedoni nuk ka pas asnjë ndërhyrje të vetme nga fqinjët, por produkti, deklarata e përbashkët e partive parlamentare shqiptare është autokton, është produkt i dalë nga programet zgjedhore të partive tona politike dhe i përmbledhur në një dokument të vetëm të cilin ne e kemi paraqitur në negociata edhe me VMRO – DPMNE-në më herët por edhe me LSDM-në më vonë. Sot jemi në rrethana ku VMRO-ja është opozitë, duhet të pranojë se është opozitë dhe ti zhbllokon proceset në Kuvendin e Maqedonisë që të mund të ecim përpara” – tha Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Nga Lëvizja Besa theksuan se VMRO – DPMNE-ja si shkaktare e krizës politike nuk është e denjë të ofrojë strategji për zgjidhjen e saj. “VMRO – DPMNE-ja nuk është e denjë të ofrojë zgjidhje për dalje nga kriza për faktin e thjeshtë se ata bashkë me partnerin e tyre shqiptar janë shkaktari kryesor që vendi gjendet sot në këtë krizë. Gjithçka që ata patën për të propozuar dhe për të bërë, e kanë bërë gjatë 13 viteve në pushtet dhe gjithë ne sot i vuajmë pasojat e asaj mendësie dhe asaj qeverisje” – tha Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes Besa.

Kurse Aleanca për Shqiptarët vlerëson se oferta e Gruevskit synon ta izolojë vendin dhe cenon marrëdhëniet me fqinjët dhe faktorin ndërkombëtar. “Kjo ofertë për ne si Aleancë është totalisht e papranueshme për arsye se e para tenton të izoloj shtetin, arsyeja e dytë është sepse tenton të prishë politikat rajonale dhe politikat e fqinjësisë së mirë dhe arsyeja e tretë dhe më e rëndësishme është sepse tenton të prishë raportet me miqtë tanë ndërkombëtar” – tha SyrijaRushiti, deputet i LR PDSH-së, shkruan Alsat.

VMRO DPMNE-ja një ditë më parë shpalosi planin për dalje nga kriza politike e cila parashikon marrëveshje mes partive politike që të mos lejojnë më ndërhyrje të jashtme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të brendshme, përfshirë këtu edhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve dhe shteteve fqinje. VMRO-ja gjithashtu kërkon të qartësohet rëndësia e parimit “fituesi me fituesin” si dhe të theksohet qartë në ligj se kujt i takon posti i kryetarit të Kuvendit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: