NGA ANISA YMERI*

Violinisti shqiptar i Filharmonisë së Vjenës prek Tiranën në një koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke shënuar kështu të parin koncert të artistit me Orkestrën tonë Simfonike.

Ai është një prej instrumentistëve të zëshëm shqiptarë në skenën ndërkombëtare dhe veçmas i njohur pas interpretimit të ‘Albanian Solu’ apo ‘Shpirti shqiptar’, motive muzike përfaqësuese të vendit tonë në pushimin mes dy pjesëve të koncertit të Vitit të Ri të Filharmonisë së Vjenës.

Ai është prezent në skenën shqiptare për çka koncerti i mbrëmjes së 13 Qershorit, s’mund të mos ndjellë publikun shqiptar. Është një koncert ku violinisti do të interpretojë me Orkestrën Simfonike të Teatrit të Operas, uverturë nga Opera “Dasma e Figaros” e Mozart. Po prej këtij kompozitori, sjell në skenën shqiptare Koncertin për Violinë Nr. 5, një ndër pjesët e rëndësishme të repertorit botëror.

Vjen gjithaq një vepër premierë, “Baresha” e Rexho Mulliqi, një përpunim për violinë e orkestër nga Gerti Druga, pjesë e programit të koncertit të violinistit Doli në skenën tonë kombëtare.

Do të jetë ky i violinistit Doli në Tiranë, një koncert bamirësie! Artisti shqiptar luan me Orkestrën Simfonike të Teatrit të Operës, jo vetëm për të qenë pranë publikut shqiptar, por edhe për një tjetër kauzë tej artistike. Të ardhurat nga koncerti do të dhurohen për bamirësi, për fëmijët që jetojnë në fshatrat e fëmijëve SOS.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: