Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Shqiptari shkoi për azil në Francë, por në burg i ndodh gjëma. Kushërira: Tentuan të vrasin (Foto)

FRANCE– Një 23-vjeçar shqiptar prej tre ditësh ndodhet në gjendje kritike për jetën në spitalin e Marsejës. Të afërmit e tij kanë denoncuar ngjarjen në “News24”, duke pretenduar se Florenc Beqirajn kanë tentuar ta vrasin në burg, ku ai ndodhej prej tre javësh. Kushërira e tij ka telefonuar nga Franca në “News24” duke apeluar për ndihmë, në mënyrë që të zbardhet e vërteta për 23-vjeçarin.

Ajo thotë se Florenci kishte shkuar para një viti në Francë duke kërkuar azil, por tre javë më parë ishte kapur nga policia, pasi nuk kishte dokumente. Kushërira thotë se para disa ditësh, Florenci kishte telefonuar atë dhe një tjetër shok të tij, duke iu thënë se kishte probleme me personat me të cilët ndante qelinë, si dhe kishte shprehur frikë se mos e vrisnin.

Sipas saj, 23-vjeçari pas dy ditësh do të kthehej në Shqipëri, ndaj nuk kishte pse të vetëvritej, pretendim ky i ngritur nga policia e Francës.

Në fotot e siguruara nga “News24” dhe “BalkanWeb”, i riu shfaqet në gjendje kome në spital. Kushërira e tij thotë se mjekët duan t’i shkëpusin aparaturat me pretendimin se 23-vjeçari ka vdekur.

“Jam kushërira e këtij djalit. Ai është djali i hallës sime. Kërkojmë të drejtën, pasi atë kanë tentuar ta vrasin. Ai është vetëm 23 vjeç, dhe erdhi në Francë për azil. Brenda në burg kanë tentuar ta vrasin. Duket nga shenjat. Ka të gërvishtura në krah, dhe shenjën e litarit në fyt. Kjo i ka ndodhur pas arrestimit nga policia, pasi e kapën pa dokumente. Ai do të kthehej për dy ditë në Shqipëri, nuk kishte pse të vetëvritej”, tha kushërira e 23-vjeçarit.

(el.sp/BalkanWeb)





Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.