MAQEDONI– Një studente shqiptare nga Maqedonia i ka dërguar një letër publike kryeministrit Edi Rama, ku kërkon që të reagojë për rastin ‘Kumanova’, 33 pjesëtarët e të cilëve u dënuan në total me 746 vjet burg për përplasjet me forcat e sigurisë disa vite më parë në Kumanovë. Blerona Brao nga Struga, e cila është studente e Gjuhës dhe letërsisë shqipe ka kërkuar nga Rama që të ngrejë zërin për të drejtat dhe padrejtësitë që po u bëhen shqiptarëve.

Letër e hapur drejtuar Kryeministrit Edi Rama:
Kryeministër, me fitoren tuaj në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, sipas të gjitha premtimeve që i dhatë, shpresuam se angazhimi juaj për çështjen Shqiptare do të shtrihet edhe jashtë kufijve administrative të “Shqipërisë Londineze”. Jemi të dëshpëruar, sidomos ne , Rinia Shqiptare e pjesëve të ndara të Shqipërisë, që sot mbajnë disa emra principatash! Ju nuk jeni fajtor për pozitën e palakmueshme të Popullit Shqiptar në Ballkan. Por, si kryeministër i shtetit amë dhe sipas dispozitave kushtetuese të R. së Shqipërisë, jeni të obliguar, së paku të ngritni zërin e arsyes në mbështetje të Popullit Shqiptar të mbetur padrejtësisht jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë. Në këto kohë, kur edhe “shteti” artificial i quajtur “maqedoni”, i përkëdhelur edhe nga ju personalisht, dënon me vdekje bijtë më të mirë të Kombit Shqiptar, mbështetja juaj është më shumë se një “preventivë”. “Rasti i Kumanovës” është vetëm një hallkë nga zinxhiri i gjatë i “rasteve” të dënimeve, të vrasjeve dhe të torturimeve çnjerëzore të Shqiptarëve, në burgjet e këtij “shteti”. Në emër të Rinisë Protestuese Shqiptare, unë studentja Blerona Brao, kërkoj urgjentisht një fjalë përkrahëse dhe publike nga ana juaj në këto çaste të vështira.”, ka shkruar Blerona Brao, studente e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në UT.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: