Pranojeni djema: Ju nuk doni të shkoni tek mjeku as kur jeni sëmurë, jo më për kontrolle parandaluese. Por, duke u kujdesur për shëndetin, duke bërë kontrolle të herëpashershme për sëmundje dhe gjendje të rënda shëndetësore, do të keni mundësi që ta vizitoni më rrallë mjekun me kalimin e viteve.

Në varësi të moshës, historisë familjare dhe stilit të jetesës, njerëzit kanë nevojë për teste të ndryshme mjekësore në periudha të ndryshme kohore, shkruan “shëndeti”.

Diabeti
Mund të mos keni nevojë kurrë për të bërë kontroll për diabetin nëse mbani një peshë normale dhe nuk keni asnjë faktor rreziku për këtë sëmundje (si kolesteroli ose tensioni i lartë i gjakut). Por, për shumicën e burrave mbi 45 vjeç, sidomos ata mbipeshë, një analizë gjaku esëll ose një test A1C (analizë gjaku që parashikon një mesatare të niveleve të sheqerit në gjak për 3 muajt e ardhshme) është mirë të bëhet.

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Shërbimeve Njerëzore rekomandon gjithashtu kontroll për diabetin për personat nën 45 vjeç të cilët janë mbipeshë dhe kanë një histori familjare të kësaj sëmundjeje.

Infeksionet seksualisht të transmetueshme
Edhe nëse keni qenë në marrëdhënie me vetëm një partnere për vite me radhë, nuk është keq të bëni një analizë për infeksionet seksualisht të transmetueshme. Shumë nga këto infeksione mund të mbeten të padiagnostikuar për vite me rradhë. Për shembull, njerëzit mund të jetojnë edhe 10 vite pa shfaqur simptoma të HIV-it. Ekspertët rekomandojnë që të paktën njëherë në jetë të bëhet një kontroll për HIV-in. Kjo është sidomos e rëndësishme nëse keni kryer marrëdhënie seksuale pa përdorur masa mbrojtëse, keni injektuar drogëra të ndryshme ose keni bërë transfuzione të gjakut.

Përveç kësaj, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandon që gjithë personat e lindur mes viteve 1945 dhe 1965 të kryejnë një kontroll për hepatitin C, pavarësisht faktorëve të rrezikut. Besojeni ose jo, ka shumë raste të hepatit C ku njerëzit nuk shfaqin asnjë simptomë ose nuk e dinë nga janë shkaktuar ato.

Indeksi i masës trupore
Nuk është e nevojshme të lini një takim me mjekun për të zbuluar indeksin e masës trupore, një masë që përcaktohet në bazë të gjatësisë dhe peshës. Mund ta llogarisni atë vetë, ose edhe me ndihmën e mjekut, megjithatë është e rëndësishme që t’i kushtoni rëndësi këtij numri.

Indeksi i Masës Trupore mes 18.5 deri në 24.9 konsiderohet peshë normale. Shumë mjekë bien dakord që BMI është një komponent i rëndësishëm për vlerësimin e shëndetit të përgjithshëm.

Kolesteroli
Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon meshkujt të kontrollojnë nivelet e kolesterolit çdo 4-7 vjet pasi të kalojnë të 20-at. Sipas ekspertëve, burrat janë më të rrezikuar se gratë nga sëmundjet kardiovaskulare, dhe shkaku kryesor është kolesteroli i lartë. Duhet të bëni më shpesh kontrolle nëse keni faktorë të tjerë rreziku si diabet, pini duhan ose keni tension të lartë të gjakut.

Kolesteroli matet me një analizë e thjeshtë e gjakut, kur jeni në gjendje esëll (nuk duhet të keni ngrënë asgjë 9-12 orët e fundit). Me anë të kësaj analizë mund të masni nivelet në total të koelsterolit, kolesterolin e mirë (HDL), kolesterolin e keq (LDL) dhe trigliceridet. Në varësi të rezultateve, mjeku mund t’ju rekomandojë të bëni ndryshime në dietë ose t’ju japë recetë për ilaçet që ulin kolesterolin, si statika.

Tensioni i gjakut
Ashtu si kolesteroli i lartë, edhe tensioni i lartë i gjakut është shpesh një gjendje që nuk shfaq simptoma, megjithatë, mund ta masni shumë lehtë. Pas moshës 18 vjeç, duhet ta kontrolloni tensionin e gjakut sa herë shkoni tek mjeku.

Nuk shkoni shpesh? Kontrollojeni atë të paktën çdo 2 vjet ose çdo vit nëse kur e keni matur herën e fundit shifrat kanë qenë në kufi të së lartës. Nivelet normale të tensionit të gjakut janë më pak se 120/80 mm Hg.

Mund ta masni tensionin e gjakut në shtëpi, farmaci ose tek mjeku i familjes. Nëse tensioni sistolik është mbi 130 dhe ai diastolik mbi 85, mjeku mund t’ju rekomandojë ndryshime në mënyrën e jetesës – si më shumë aktivitet fizik dhe kufizimi i kripës – ose mund të keni nevojë edhe për ilaçe.

Kolonskopi
Burrat duhet të bëjnë kontroll për kancer të zorrës duke filluar nga mosha 50 vjeç, sidomos ata që kanë një histori familjare me këtë sëmundje. Shumë burra dhe gra druhen kur bëhet fjalë për kryerjen e këtij kontrolli – ku futet një kamera e vogël në anus dhe kontrollon zorrën e trashë për polipe dhe shenja të tjera të kancerit – megjithatë nuk duhet të keni turp.

Përgatitja për kontroll është pjesa më e keqe, pasi duhet të boshatisësh të gjithë zorrën para ekzaminimit – nuk duhet të hani ushqime të forta për 1-3 ditë, duhet të pini shumë lëngje dhe të merrni laksativë.

Pjesa më e mirë: Nëse mjeku nuk vëren asgjë dyshuese, nuk do të keni më nevojë për kontroll tjetër kolonskopie për 10 vitet e ardhshme.

Kontroll të prostatës
Kanceri i prostatës është kanceri më i shpeshtë tek meshkujt. Ai është përgjegjës për 0.5% të vdekjeve në çdo grupmoshë 60 vjeçare. Futja në përdorimin e përditshëm të PSA (analizë gjaku që zbulon nivelin e një antigjeni specifik për prostatën) ka bërë të mundur rritjen e zbulimit të kancerit të prostatës.

Të gjithë burrat mbi 50 vjeç duhet të flasin me mjekun nëse duhet të bëjnë një kontroll të prostatës. Shumica e tumoreve të prostatës nuk shkaktojnë asnjë shqetësim dhe kjo për shkak të stadit të hershëm të tyre është pikërisht depistimi me anë të PSA-së që i vë në dukje këto tumore fillestare.

Është shumë e rëndësishme të dini simptomat e një prostate të zmadhuar, si nevojë të shpeshtë për të urinuar, vështirësi në urinim – që mund të paralajmërojnë edhe për kancer.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: