TIRANE– Punonjësit e administratës publike duke filluar nga ky vit do të kenë një tjetër ditë pushimi. Komisioni parlamentar për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka miratuar sot projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.7651, datë 21.12.1992, “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore” të ndryshuar.

Propozimi u bë nga përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Endri Zerva. Sipas këtij propozimi, data 5 shtator, e cila njihet si dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, do të jetë ditë pushimi për punonjësit e administratës, shkollat dhe kopshtet.

Me votë unanime, Komisioni i Ligjeve ka vendosur për 5 shtatori të jetë ditë pushimi, ashtu si dita e Lumturimit të Nënë Terezës, 19 tetori.

Pas miratimit në Komision, ky projektligj do të kalojë në Parlament.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb