NGA MIMOZA KOÇIU*
Një javë pas video-skandalit që publikoi gazetari Ylli Rakipi, në të cilin kryetari i Bashkisë Dibër, Shukri Xhelili, ofronte e krijonte vende pune në këmbim të favoreve seksuale, makineria e propagandës ia ka dalë ta zhvendosë tronditjen e opinionit publik në disa drejtime, konkretisht në ato që kënaqin voyerizmin provincial brenda secilit prej nesh.

Pak orë zgjati efekti i “ndërgjegjësimit” publik, se zotëria me të brendshme të grisura po abuzonte rëndë me detyrën dhe se nga vetërrëfimi i bëmave të tij të mëparshme, nuk e kishte për herë të parë, por e kishte bërë rrugë, drejtimin e së cilës e kishte krejt të qartë. Vëmendja e opinionit u orientua sa te të brendshmet e grisura të kryetarit, tek 20-vjeçarja që e realizoi filmimin, duke i hyrë me themel biografisë së saj; tek familja e kryetarit, që në fillim u tha se e bëri lanet e më pas e mbrojti si hero.

Si të ishte një fenomen “showbiz”-i, e jo një abuzim skandaloz me detyrën, nuk ngeli njeri pa folur në media: vajza-viktimë, nëna, babai, vëllai i saj, bashkëshortja e Shukriut, secili duke paraqitur pa droje në publik këndvështrimin e vet, jo vetëm duke dëshmuar se ngjarja nuk konsiderohet tabu prej tyre, e duke “kënaqur” edhe etjen e njerëzisë për detaje nga më pikantet. Ato që nuk folën e u ishte mbyllur goja, ishin organizatat e grave ose ato që ekzistojnë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Nuk patën asgjë për të thënë kur panë me zë e figurë se si realizohej punësimi i një 20-vjeçareje.

Nuk patën gjë për të thënë as organizatat politike të grave e të rinjve. A nuk janë këta të fundit shënjestra e partive politike, që i ndjekin këmba-këmbës për t’u ngecur në dorë një tesër mavi, blu a të kuqe? Nuk patën asgjë për të thënë as zonjat e vajzat dibrane, që votuan e punuan që Shukriu të zgjidhej.

Një vajzë e re, që shkon të kërkojë punë të mirë, pa përfunduar procesin e shkollimit, u paragjykua lehtësisht si ta kishte kërkuar atë sjellje të kryetarit. Ky paragjykim i mbylli gojën turpshëm të gjitha organizatave që duhej të reagonin.
U shkarkua, u ndalua Shukriu, nisi një hetim për të, kjo nuk është meritë e qeverisë, as e atyre që e kanë zgjedhur, sepse nëse 20-vjeçarja nuk do publikonte atë filmim, Shukriu do ishte sërish në karrigen e bashkisë, duke “zbatuar” programin e vizionin e kryetarit të partisë së tij për rilindjen edhe të Dibrës, si “shërbëtori” që Rama u garantoi dibranëve se do ishte i ndryshëm nga “pelivani” rival demokrat.

Pavarësisht orientimit efikas të debatit publik tek detajet rozë, ndihet mungesa ulëritëse e ndjesës, e distancimit politik, partiak e institucional, me fjalë, me zë e figurë, njëlloj si atëherë kur Shukriu marketohej në zgjedhje. Gjesti që u paraqit si provë vullneti, e shpërndarë në media ishte një projekt-vendim për shkarkimin e Shukriut. I tillë quhet sa kohë i mungon një datë, një numër vendimi e një firmë e vulë dhe mbetet i pashpallur në faqen zyrtare të qeverisë, të paktën deri këtë të mërkurë në mbrëmje.

Padyshim që kryeministri duhet të jetë ndjerë shumë keq, nga ai faktim publik i “veprës” së të zgjedhurit të tij. E ka disa arsye për këtë. Sqima e mirënjohur e kryeministrit nuk i pranon në parim ato lloj pamjesh në hotel. Nga ana tjetër, akti i Shukriut i rikthen një kokëçarje krejt të papëlqyeshme, përballjen me brishtësinë e marrëdhënies me LSI, sidomos në Dibër. Natyrisht që efekti tek opinioni publik duket meraku i fundit me gjithçka kemi parë në këto tri vite. Do e kapërcejë edhe këtë me heshtje, njëlloj si zyrtarin partiak të Kokëdhimës në Sarandë, që kërkonte marrëdhënie me vajzën minorene të një gruaje që i kërkonte punë, a drejtoreshën arsimore të Lushnjës, që ua ofronte mësueset simpatike ofiqarëve partiakë.

Këto lloj modelesh që po dalin në dritë teksa vendi është premtuar të rilindë, kanë të përbashkët etjen e sëmurë që postin publik ta përdorin për përfitime personale. Në të tria rastet, zyrtarët u kapën në flagrancë për shkak të reagimit të viktimave të tyre, e jo për meritë të institucioneve mbikëqyrëse.
A janë këta vallë e keqja më e madhe, apo shukrijtë e ngjashëm për nga etja e shfrytëzimit të postit deri në qeverisjen qendrore, kur bosë droge a krimi pasi i kanë shpëtuar syrit të institucioneve, kur kanë marrë një funksion, i shpëtojnë edhe drejtësisë kur vërtetohen si të tillë. Nuk është rasti të bëhen krahasime me madhësinë e së keqes. Diskretitimi i zyrtarëve të tillë është shpëtim për qytetarët që varen nga shërbimet e tyre e nuk ka justifikim. Nuk ishte justifikues as dje kur ndodhte në qeverisjen e të djathtëve e as pardje në qeverisjen tjetër të të majtëve.

Është një fenomen që ndodh. Ndryshimin e bën vetëm qasja ndër vite ndaj shëmtive të tilla, distancimi, si mënyrë për të dekurajuar të ngjashmit dhe ndjesa publike, si një akt përgjegjshmërie ndaj qytetarëve.

“Përgjegjësia është individuale”, refreni i koordinuar i ministrave të qeverisë këto ditë për Shukriun nuk është distancim, por vetëjustifikim, një lloj rrëshqitjeje hilacake nga minimumi përgjegjshmëria njerëzorë, si prind, si vëlla, a motër që mund të gjendet nesër në një situatë të tillë.
Heshtet për një fenomen, që të gjithë e dimë se nuk është aspak i izoluar veç në Dibër, Sarandë a Lushnje, kur artikulimi arrogant publik nuk mungon asnjë ditë, si në qasjen ndaj institucioneve të tjera, ashtu edhe ndaj cilitdo që mendon ndryshe a shpreh një kritikë, një lloj shukrizmi firmato, që zotëron aftësitë propagandistike e populiste. Por diçka po ndryshon. Një pjese të konsiderueshme të shoqërisë, edhe politikës, haptas i vret syrin e veshin një qasje e tillë. Një shpresë që duhet lexuar mirë, se me shukrij nuk ecet më, sado shumëpërdorimësh të jenë.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb