TIRANE- Numri i fëmijëve të prekur nga Fruthi në vendin tonë ka shkuar në 19. Ata po marrin kujdes mjekësor në Pediatrinë e QSUT, ndërkohë që rreziku i përhapjes së virusit është prezent. E ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino ka treguar për herë të parë sesi ka hyrë ky virus në vendin tonë, këto ditët e fundit.

Bino thotë se Fruthi në Shqipëri hyri nga kontakti i një fëmijë me një burrë nga Kosova, në ambientet e QSUT, shkruan “BalkanWeb”.

“Fruthi në Shqipëri hyri nga kontakti i një fëmijë me një burrë nga Kosova, në QSUT. Nuk ka vend për panik në vendin tonë, pasi nuk ka një epidemi masive. Por ekziston rreziku që fëmijët e pavaksinuar të preken nga fruthi. Këshillojmë prindërit që të vaksinojnë fëmijët e tyre, të mos hezitojnë, pasi në të kundër fëmijët e tyre rrezikojnë më shumë. Kujtojmë se fruthi përhapet përmes ajrit, prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm, mos të çojmë fëmijët e tyre në spitale apo pediatri pa qenë nevoja urgjente. Të shmangin kontaktet me ambientet ku mund të merret virusi”, u shpreh Bino.

Fëmijët e prekur nga virusi i Fruthit janë të gjithë nën moshën 3 vjeç e mes tyre ka edhe fëmijë nën dy vjeç të gjithë të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila të mbron 100% nga Fruthi, shytat dhe rubeola.

Shkak për mosvaksinimin në moshën 1-vjeçare të fëmijëve janë prindërit që mendojnë se vaksina shkakton efekte anësore të spektrit autik. Mes prindërve që nuk i vaksinojnë fëmijët ka edhe besimtarë të disa sekteve brenda besimit islam që mendojnë se vetë vaksina është përhapës i sëmundjeve të rënda.

Bino thekson se vaksina e Fruthit nuk shkakton autizëm.

“Sa i takon vaksina kundër fruthit nuk shkakton autizëm. Është e vërtetë se disa prindër hezitojnë për t’ia bërë vaksinën fëmijës së tyre. por janë kryer qindra studime që vërtetojnë se vaksina nuk shkakton autizëm. Vetë fruthi shkakton probleme të mëdha tek njeriu, sidomos tek fëmija. Mund të shkaktojë probleme që mbeten për gjithë jetën. Nuk duhet të shtyhet vaksina kundër gripit”, u shpreh specialistja e ISHP.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb