Nga: Ben ANDONI

Në intervistën e dhënë pas një përmbytje, hartuesi i Rregullores së Drinit, Dr. Bardhyl Shehu kujtoi një element. Edhe sikur të mblidheshin më parë specialistët nuk kishin më se çfarë të bënin në këtë situatë.

Në fakt, një pjesë e përmbytjeve që ndodhin sot e kësaj dite sidomos në Veri shkojnë prej administrimit të keq të hidrocentraleve. Por nëse administrimi i kuotave do të bëhej njësoj me përkushtim në të gjithë kohët e vitit dhe të ishte domen i shtetit dhe jo i tenderave, atëherë nuk ndodhnin këto që po ndodhin vazhdimisht.

Problemi i sotëm i përmbytjeve fillon me kaotizmin e zërave të specialistëve dhe institucioneve, me mungesën e fleksibilitetit të strukturave të ndryshme, me pak fjalë prishjen e një strukture të tërë hidrologjike, që ka qenë aq shumë e nevojshme në vend me kushtet ujore ku gjendet Shqipëria. Mbi të gjitha hartimin e një Strategjie Kombëtare efikase për vendet e rrezikuara nga përmbytjet. Mbase kjo e fundit, duhet të jetë e para, ngaqë sot institucionet tona janë aq me mungesë bashkëpunimi dhe me personele aq të paafta saqë përmbytjet do të ndodhin sërish e sërish.

Ulëritëse mund ta quash gjendjen e hidrologjisë shqiptare. Kjo me mungesën e specialistëve, përkushtimin e shtetit, mos funksionimin si duhet të Institutit Hidrologjik, shtuar me të gjithë ineficensën e institucioneve të tjera. Për fat të keq, askush nga qeveritë nuk përshtat buxhetet e ti thotë individit shqiptar se me Ngrohjen Globale, kjo situatë do të vazhdojë dhe se ne duhet të derdhim energji të mëdha për të përballur këtë realitet.

Një nga aspektet e mosakordancës së strukturave të ndryshme ishte ajo që ndodh me bashkëpunimin e munguar. Këshilli Kombëtar i Digave të Mëdha nxori problemin e rikrijimit të Institutit Kombëtar të Ujërave, kurse specialistë të ndryshëm të saj treguan se Autostrada me mbushjet e tanishme është shkaku kryesor i përmbytjeve nga Vjosa në zonën e Mifolit, ndërkohë që specialistë të saj vazhdimisht kërkojnë kompetenca më të mëdha në drejtim të Urave të rrugëve kombëtare, vende ku specialistët kanë vëzhguar gabime shumë të mëdha. Ata rreshtojnë atë çka ndodh në urën e Bunës që mbyt sot Shkodrën, segmentin rruga harku i Bërdicës – ura e Bahçallëkut, urën e Mifolit të autostradës Levan-Vlorë etj. Por më fatale ishte ajo që tha Inxhinier Goga, para pak javësh: Është një digë 60 metra e lartë e ndërtuar pa leje në Okshtun!

Pas ngjarjeve të vitit 2010, Shqipëria është bërë e vetëdijshme për përmbytjet, por asesi për masat që duhet marrë. Askujt nuk i dhëmb ajo që ndodh me banorët e përmbytur veç show politik. Dhe, ndodh që për çdo vit ne përmbytemi njësoj, saqë tashmë po humbet dhe sensi i shpërblimeve të përmbytjeve. E habitshme është se pse nuk përmbytej Shqipëria para viteve ’90. Këtu palët akuzojnë njëra-tjetrën, ose brezat e studiuesve nxjerrin frymën kaotike që shoqëron gjithçka tonën: Të vjetrit thonë: kishim disiplinë shkencore; Të rinjtë: nuk kishit problemet tona!

Një ide për zbutjen e këtyre pasojave u dha qartë në një studim, të pak kohëve më parë. Në studimin “Vlerësimi i rrezikut nga përmbytjet në Shqipëri”, Prof. Dr.Agim Selenica dhe Dr. Nikolla Nika të UMT Metropolitan do të shpreheshin se: “Shqipëria ka një specifikë tjetër, argjinaturat mbi lumenj janë projektuar e ndërtuar në vitet 50 – 60- të mbi bazën e plotës me periudhë përsëritje 10 deri 50 vjet, të llogaritur me seritë hidrologjike të asaj kohe. Ato janë mjaft më të shkurtra se ato që ekzistojnë sot. Llogaritjet e plotave duke u mbështetur në seritë aktuale japin vlera të tjera për këto plota. Kështu, plota e dimrit të 1962-63, e cila në shumicën e pellgjeve ujëmbledhës dikur konsiderohej si plotë me periudhë përsëritje 50 vjet, sot ka një siguri më të vogël, për shkak se në serinë historike tani përfshihet edhe periudha 1990-2000, që karakterizohet përgjithësisht prej plotash më të vogla. Po ashtu, këto plota, në pellgje të ndryshëm nuk kanë të njëjtën periudhë përsëritje. Kështu, në lumin Vjosa plota e janarit të vitit 1971 është më e lartë se ajo e dimrit 1962-63 dhe për rrjedhojë ka një periudhë përsëritje më të madhe.

Gjendja aktuale e kuotave të kurorave të argjinaturave nuk njihet me saktësi. Kështu, në se marrim si kuotë të daljes së ujërave nga shtrati atë të kurorës së argjinaturës gabimi në terren mund të jetë i madh. Në të njëjtën kohë ky nivel mund të mos ketë më të njëjtën siguri si më parë sepse, në shumicën e rasteve, shtrati i lumenjve në pjesën fushore, pikërisht aty ku ndodh edhe përmbytja, ka ndryshuar shumë për shkak të shfrytëzimit shpesh të pakontrolluar të materialeve inerte”.

Në këto kushte, Shqipërisë i duhen llogaritje të tjera, por edhe ndërmarrja e hartimit të masave të karakterit të menjëhershëm por edhe atyre afatgjatë. Për fat të keq, deri më tashmë Shqipëria e ka mënjanuar pa logjikë rrezikun, kurse në ditët tona, me dëmet që po krijohen dhe ato që parashikohen, tregojnë se handikapët tona janë të jashtëzakonshëm. Më keq akoma, përmbytjet po përdoren si kapital politik kundër ushtrimit të pushtetit. Dhe, ndërsa jemi nën ujë, ashtu si do digjemi me siguri pas 4-5 muajsh, shqiptari mbetet armiku më i madh i vetes, jo pak herë dhe më i madh sesa vetë Natyra e Gjithëfuqishme. /Homos Albanicus – Gazeta Shqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: