Admir Tafili, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe aktualisht i pandehur në një proces gjyqësor ku akuzohet për porositjen e vrasjeve me pagesë nga burgu, përfiton nga amnistia. Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje të pushojë një nga akuzat që rëndonin mbi Tafilin, në zbatim të ligjit “Për dhënie amnistie”, i cili hyri në fuqi katër ditë më parë. Akuza, nga e cila “u zhvesh” i pandehuri, është ajo e “vetëgjyqësisë”. “Gjykata pranon pjesërisht kërkesën e Tafilit për pushimin e procedimit penal të nisur ndaj tij për akuzën e ‘vetëgjyqësisë’, kryer në bashkëpunim”, është shprehur Gjykata me vendim të ndërmjetëm. Po dje, Gjykata ka pranuar edhe kërkesën për pushim të çështjes gjyqësore për dy prej të pandehurve të së njëjtës dosje.

Të pandehurit Besnik Daci dhe Kalem Hykaj akuzoheshin në këtë proces vetëm për veprën penale të “vetëgjyqësisë”, vepër që i përkiste kategorisë së veprave, të cilat amnistoheshin nga amnistia e miratuar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar. Tafili do të vijojë të jetë pjesë e gjykimit të nisur ndaj tij te Krimet e Rënda, për shkak të akuzave të tjera që rëndojnë mbi të, si ajo e “krijimit të grupit të strukturuar kriminal”. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tafili ishte pjesë e një grupi kriminal të angazhuar në vrasje me pagesë. Seanca e djeshme gjyqësore në ngarkim të të akuzuarve të kësaj dosjeje u zhvillua me dyer të mbyllura për publikun, bazuar në një vendimmarrje të ndërmjetme të Gjykatës në seancën e parafundit. Shkak i mbylljes së dyerve ishte faza e procesit, ku do të merrej në pyetje i pandehuri Kristi Pine, i cili është bashkëpunëtor dhe i penduar i drejtësisë. Pas vendimit të ndërmjetëm në lidhje me pushimin e akuzës për tre të pandehurit Tafili, Daci dhe Hykaj për shkak të amnistisë, seanca nuk u zhvillua normalisht prej mungesës së njërit prej avokatëve mbrojtës. Seanca e radhës, ku pritet të dëgjohen edhe thëniet e të penduarit Pine, do të zhvillohet më 30 janar.

Prokuroria për Krimet e Rënda, bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit të dosjes, si edhe rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë Kristi Pine, pretendon se ky i fundit ka kryer vrasje kundrejt pagesës, të porositura nga ana e Admir Tafilit. Ata janë njohur me njëri­tjetrin gjatë kohës që Pine vuante një dënim me burg në burgun e Bradasheshit, Elbasan. Sipas Prokurorisë, ata kanë arritur të krijojnë një mekanizëm për kryerjen e krimeve, vendin e fshehjes së armëve, lidhjet kriminale dhe personat që kishin dijeni për krimet. Veprat kriminale, ku dyshohet të jenë përfshirë në role të ndryshme të pandehurit janë “vrasja me paramendim” e Ibrahim Manit, në qershor 2014 Shkodër; “vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë e Edmond Çakmashit, në shtator 2014 në Tiranë./panorama

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: