Ata supozoheshin të ishin një skuadër vrasësish elitë me detyrën të sulmonin rezidencën e liderit të asaj kohe të Koresë së Veriut, Kim Il Sung, por ‘Njësia 684’ e Koresë së Jugut, e krijuar në 1968 pas një sulmi të ashpër mbi selinë presidenciale të Seulit nga ana e Koresë së Veriut provoi të kundërtën, shkruhet në një artikull të CNN.

Eksperimenti për të krijuar një skuadër vrasësish elitë përfundoi në katastrofë, shtatë prej tyre humbën jetën – të ekzekutuar për dezertim ose aktivitete kriminale ose vdiqën nga lodhja gjatë stërvitjes së rëndë në një ishull të largët. 24 pjesëtarët e mbetur u kthyen kundër trajnerëve të tyre ushtarakë, duke vrarë shumë prej tyre në një rebelim të përgjakshëm. Ngjarjet e çuditshme dhe vdekjeprurëse që ndodhën në ishullin Silmido u mbajtën të fshehta deri sa detajet u zbuluan nga Komisioni i të Vërtetës i Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut në vitin 2006, ngjarje të cilat gjithashtu ishin subjekti i një filmi shumë të suksesshëm.

Historia bën jehonë sot ndërsa Koreja e Jugut ka nisur krijimin e një njësie të re vrasësish, diçka që e sheh si një mbrojtje të domosdoshme kundër fqinjit të saj të armatosur me armë bërthamore.
Si u formua Njësia 684?

Në fillim, agjencia e inteligjencës së Koresë së Jugut planifikoi të rekrutonte të burgosur të dënuar me vdekje. Sidoqoftë, raporti i Ministrisë së Mbrojtjes së 2006 vëren se për atë rast, oficerët e inteligjencës “rekrutuan civilë dhe ju dhanë misionin të sulmonin rezidencën e Kim Il Sung”.
Sipas Yang Dong-soo, ish trajner i Njësisë 684, pjesëtarët e skuadrës u rekrutuan kryesisht në bazë të pamjes së tyre fizike. Oficerët e inteligjencës ju afruan burrave që kishin një fizik të fuqishëm dhe i rekrutuan ata.

CNN

Yang Dong-soo, i mbijetuari i Njësisë 684, ishte një vullnetar 21-vjeçar në forcat ajrore kur u dërgua në ishullin Silmido në bregun perëndimor të Koresë së Jugut në vitin 1970, një ishull që në ditët e sotme është i pabanuar.

Yang u ngarkua t’u mësonte rekrutëve luftimin trup më trup dhe aftësinë që u duhej të mbijetonin, dhe sipas tij mësimi më i rëndësishëm për ta ishte “nëse do të jetosh, duhet të vrasësh”.
Në ishull rekrutët dhe trajnerët e kishin të ndaluar të komunikonin me botën e jashtme, ndërsa stërvitja ishte brutale dhe pa pushim.

Nga viti 1968 deri në 1971, 7 nga 31 pjesëtarët e njësisë humbën jetën. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 2 burra u ekzekutuan për dezertim, një tjetër u ekzekutua se kërcënoi një trajner, tre të tjerë u ekzekutuan pas një incidenti ku ata u arratisën nga ishulli dhe përdhunuan një grua vendase.
Gjatë periudhës tre vjeçare në ishull, pjesëtarët e Njësisë 684 nuk u dërguan asnjëherë në Korenë e Veriut.
Sipas raportit të Ministrisë së Mbrojtjes, pas tre muajve të parë në ishullin Silmido, komandantët nuk ju dhanë më rroga rekrutëve dhe u jepnin ushqim me cilësi së dobët.
Por mëngjesin e 23 gushtit, 1971, diçka ndryshoi dhe vrasësit u kthyen kundër komandantëve, duke vrarë 18 prej tyre. Më pas ata ecën drejt ishullit dhe rrëmbyen një autobus për në Seul, ku u përleshën me ushtarët dhe policinë. Dhjetëra forca të sigurisë dhe civilë u vranë, të tjerë u plagosën. Beteja përfundoi kur një shpërthim në autobus vrau 20 prej rebelëve. Katër prej tyre i shpëtuan shpërthimit, dhe pas një gjyqi sekret, të gjithë u ekzekutuan më 10 mars të 1972. Pas ekzekutimit, trupat e tyre nuk ju dhanë familjarëve.
Komisioni i Ministrisë së Mbrojtjes deklaroi se komandantët e forcave ajrore, përgjegjës për Njësinë 684, mbuluan ngjarjen duke djegur dokumentet që kishin lidhje me dështimin vdekjeprurës.

Pothuajse pas një gjysmë shekulli pasi Njësia 684 përfundoi në dështim të përgjakshëm, ka shenja që ushtria koreane-jugore po shmang gabimet e saj të mëparshme me një skuadër të re vrasësish.
Zyrtarët kanë dhënë shumë pak detaje rreth njësisë së re, e cila është quajtur “Brigada Speciale”, dhe ndryshe nga para-ardhësja e saj- e cila përbëhej nga vullnetarë civilë- forca speciale ushtarake të specializuara janë rekrutuar për njësinë speciale.

Ministri i Mbrojtjes Song Young-moo ju tha ligjvënësve në shtator të vitit të kaluar se do duhej një vit për të vënë në punë njësinë e re, ndërsa dhjetorin e kaluar, ushtria koreane-jugore organizoi një ceremoni të mbyllur për publikun për të shënuar krijimin e njësisë së vrasjes. Sipas një oficeri të Asamblesë Kombëtare, Ministria e Mbrojtjes koreane-jugore planifikon të shpenzojë 50 milion dollarë në vitet e ardhshme për të pajisur brigadën me armët dhe municionet e nevojshme.

Sakaq producentët koreanë të filmave e kthyen historinë e asaj që ndodhi në ishullin Silmido në një film të suksesshëm që u shfaq në kinema në vitin 2003, duke riprodhuar barakat origjinale dhe terrenin e stërvitjes në ishull, duke përshkruar disa nga rekrutët e Njësisë 684 si kriminelë të detyruar t’i bashkoheshin skuadrës së vrasjeve të kontrolluar nga qeveria.

Sidoqoftë Komisioni i Ministrisë së Mbrojtjes këmbëngul se kriminelët nuk ishin pjesëtarë të asaj njësie.
Sakaq Yang Dong-soo, i mbijetuari i Njësisë 684, nuk dënon asnjë për gjakderdhjen në ishullin Silmido.
“Pjesëtarët e Njësisë 684 nuk duhet të cilësohen si rebelë. Ata ishin viktima. Ata ishin burra të rinj që u sakrifikuan, trajnerët si puna ime, ishin gjithashtu viktima” thotë Yang Dong-soo.
Përktheu për “BalkanWeb”: Aleksandra Kola

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: