Nga Monika Stafa
Eurodata TV ka publikuar së fundi raportin e saj të përvitshëm më titullin “One television year in the world”, në të cilin shkruhet se televizioni, vazhdon të tërheqë një numër të konsiderueshëm audiencash duke përfituar edhe më shumë prej përparësive teknologjike të shekullit të 21-të, ndër të tjera edhe dixhitalizimi.

Po çfarë është Eurodata TV dhe ku i mbështet ky organizëm raportet e tij?
Eurodata TV është një organizëm ndërkombëtar të dhënash mbi certifikimin e programeve të ndryshme televizive, duke kryer në të njëjtën kohë dhe vlerësimin e audiencës së tyre. Puna e këtij organizmi është bazuar në partneritet të vazhdueshëm me njësitë e vogla që operojnë në çdo vend, duke iu referuar sistemit vlerësues të audiencave të çdo vendi përkatës në të gjithë botën. Eurodata TV, është krijuar në fillim të viteve ’90 nga MEDIAMETRIE, një kompani matëse audiencash me qendër në Francë. Që prej disa kohësh Eurodata TV, mbulon më shumë se 5500 kanale në më shumë se 100 vende në plan botëror. Ky organizëm i madh të dhënash televizive, përmban, gjithashtu, një seri informacioni zyrtar sa i përket transmetimeve televizive dhe audiencës përkatëse.

Në çeljen e panairit të përvitshëm për Median dhe Televizionin në Kanë, më 9 -11 prill të këtij viti, Avril Blondelot, Drejtor i Përmbajtjes së të Dhënave në Eurodata TV Worldide, paraqiti tendencat më të fundit lidhur me përmbajtjet televizive. Ndër të tjera ai theksonte se, në një kohë kur hitet ndërkombëtare po zbehen gjithmonë e më shumë, ka ende disa produkte, të cilat po përcaktohen si premtuese për një të ardhme të mirë televizive, të tilla si: Blue Planet II (Seri dokumentarësh nga bota nënujore), Voice Senior (Talent Show), Young Sheldon (Serial televiziv- Komedi) dhe When Heroes Fly (Serial teleleviziv – Aksion). Duket se prodhimet lokale po tërheqin më shumë se kurrë audiencat, shtonte ai për shtypin, duke e bërë shumë të vështirë arritjen e një konsensusi për të përmendur një apo dy tituj programesh botërorë, si të suksesshme. Në raportin e Eurodata TV, ekspertët theksojnë se prioritet për vitin 2018, mbeten programe, përmbajtja e të cilave duhet të jenë në gjendje të shkojnë tek një audiencë e caktuar para se sinjali i nisjes së tyre të ndizet, ndryshe nga ato të mëparshmet, të cilat prodhoheshin me idenë e dëshpëruar për të kërkuar audiencën masive.

Në më shumë se 95 vende të marra në shqyrtim nga Eurodata TV Worldwide, vitin e kaluar, në raportimin e saj, u theksua se koha individuale e të ndjekurit TV në total ishte 2 orë e 56 minuta. Por duhet shtuar se, kjo shifër fsheh në vetvete pabarazi të forta mes kontinenteve duke filluar që nga Azia me 2 orë e 25 minuta e deri në Amerikën e Veriut, e cila renditej si më e larta në kurbën e audiencës televizive; 4 orë e 3 minuta – gati dyfishi i kohës së kontinentit aziatik. Ndërsa kontinenti ynë, Evropa shënon një tjetër rekord; koha individuale për person është 3 orë e 49 minuta në ditë. Eurodata në raportin e tij, nënvizon se megjithatë këto shifra duhen parë në perspektivë. Gjatë 25 viteve të fundit, koha e të parit televizion në rang global ka mbetur e qëndrueshme, pavarësisht përdorimit në rritje të videove në internet. Kështu, në Amerikën e Veriut dhe në Azi, po shihet një rënie të lehtë e audiencave televizive, por në Amerikën e Jugut ajo po njeh ritme të çuditshme.

Ndërsa Evropa, mbetet në një nivel historikisht të lartë, tha në fjalën e tij të hapjes në panairin e Kanës, F. Vaulpré, zv/Presidenti i Eurodata TV Worldwide. Për disa vite, shikuesit kudo në botë u vihej në dispozicion të shihnin programe në më të shumtën e herës të regjistruara dhe jo në kohë reale; në këtë mënyrë pune humbiste shikuesi por ama fitonte televizioni, në konsumim produkti por dhe para. Megjithatë të dyja bashkë, internet dhe TV, sipas të dhënave të Eurodata në 35 vende ku është bërë kjo analizë, është konstatuar se, shifrat e audiencës kanë shkuar në favor të përmbajtjeve televizive. Ndërsa tek të rinjtë, trendi i ndjekjes së TV-it, një trend i cili analizohet me kujdes në të gjithë botën, duket është në varësi të përdorimit të teknologjive të reja që kanë lidhje me Tv. Kjo i bën ata konsumatorë të Tv ndryshe ata nuk mund të adaptohen. Por duhet edhe të sqarojmë se zhanri i programit që shihet më së shumti prej tyre nga ekranet e internetit, janë reality show televiziv apo dhe serialet rinore. Vetëm në këto raste, audienca televizive është dyfishuar.

Çfarë është konstatuar thuhet në raport është se në vitin 2017 më shumë se 4,100 programe periodike të importuara nisën në 48 vende të botës. Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, ishin eksportuesit kryesorë, me mbi 500 programe secili që kryesonin listën. Franca, Gjermania dhe Turqia ishin tre vendet që vinin më pas me prodhimet e tyre televizive në treg. Mes rajoneve të ndryshme të botës ka gjithmonë flukse tregtare preferenciale në rrafshin global. Ja p.sh. Mbretëria e Bashkuar eksporton gjysmën e produkteve të saj, veçanërisht programet faktike (lajme, dokumentarë etj.,), në Evropën veriore; Franca shet pjesën më të madhe të programeve të saj, të konsideruara si periodike, p.sh. seriale, etj., vendeve fqinje, duke përfshirë Italinë dhe Portugalinë. Së fundi, përmendim Turqinë, e cila eksporton shumë produkte të saj, veçanërisht fiction (filma, seriale historikë, etj.), drejt Europës Lindore, në Lindjen e Mesme dhe në Amerikën e Jugut. Filmat artistikë janë ata, që dominojnë në listën e tregut të medias dhe televizionit në rrafsh global.

Rekomandimet e Raportit mbi median dhe produktet televizive
Hitet e vlerësimit të publikut, përfshijnë gjini dhe tema, të cilat kanë kënaqur shijet artistike të shikuesit të televizionit prej disa vitesh. Janë produkte apo seriale, të cilat shfaqin karaktere të këndshëm apo të talentuar, si Young Sheldon në SHBA, një serial që arriti t’i japë CBS-it një audiencë të lartë, apo dhe seritë që në përmbajtjet e tyre kombinojnë dashurinë dhe familjen. Janë dhe ato të ndërtuara në një këndvështrim krejtësisht tjetër, përmendim këtu serialet e krimit, të ngarkuara me mister apo të vendosura në një epokë të kaluar. Është provuar se të tilla seriale i tërheqin audiencat anembanë botës: si Beau Séjour në Belgjikë apo Cetnici Z Luhacoviç në Republikën Çeke, të cilat me gjasë e kanë dyfishuar audiencën e të rinjve në kanalet që i transmetojnë ato. Përcaktimi i një teme programi nuk është aspak më pak popullor kur ai kombinohet me tema të tjera, p.sh., shfaqjet të tipit lojë si, “Love at First Song” (Vietnam), është një spektakël ku përzihet muzika dhe gara mes kandidatëve, të cilët përpiqen të fitojnë me shijet e tyre muzikore.

Një tjetër risi, në këtë temë është shfaqja e programeve të dedikuara për ndërprerjen e marrëdhënieve, si “The Break Up by International Cabo” ose “Make Up or Break Up”. Këto janë programe ku përshkruhet i gjithë cikli i raportit dashuror; nga dashuria me shikim të parë deri tek thyerja e zemrës, e gjitha e ndjekur në TV. Por raporti shënon me ngritje audience edhe programe të tjera, të cilat nuk kanë qenë fare në listën e programeve televizive. Pas disa vitesh, programe dedikuar fëmijëve dhe të rinjve, tani radha është e të moshuarve të ndjekin shfaqjet e tyre, siç janë, p.sh. ‘The Voice Senior’ ose ‘The World’ sipas 80 vjeçarëve (Talpa Global, Holandë). Së fundi, ndonëse dramat familjare janë vepra artistike televizive të tipit klasik e që gjithmonë parashihet se ato triumfojnë ndaj audiencave, tanimë ka ardhur koha e rrezikut.

Ajo çfarë duhet të kihet parasysh e të ndiqet me kujdes është rikthimi tek tema e cila duhet të ndryshojë fokus. Familjet e portretizuara të vitit 2017 – 2018 duket se po përballen me probleme të rëndësishme, siç është pozicioni i babait në familje; ku gjendet ai tani, në një epokë të re mbushur me aksione së brendshmi, ku motori lëvizës po provohet gjithmonë e më shumë se është gruaja. Shkruesit e skenarëve duhet të tregohen me nuhatje të hollë për ta përqendruar staturën e burrit diku në përmbajtje në frontin e duhur, por asesi ta vendosin atë nën ciklonin e emocioneve të ditës më shumë sesa të një aksioni. Save Me (Sky Vision, Mbretëria e Bashkuar), është një prej shembujve televizivë që ka nxitur debate dhe polemika mes mediumeve të ndryshme jashtë dhe brenda Britanisë për mesazhin që përcjell, duke shpënë, shpesh herë shkruan Eurodata, në luhatje jo të pakta audience. Pavarësisht së mbetet ishulli që promovon liritë individuale dhe respekton diversitetin gjinor e shoqëror në politikbërjen e saj, Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë konservatore në disa tradita, të cilat ajo, jo pa shkak nuk i toleron të shfaqen edhe në përmbajtjet televizive, duke e konsideruar televizionin si promotorin e nxitjes së vlerave edukative po aq sa dhe edukimin arsimor. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb