Prof.dr. Lorenc Bejko

Etnogjeneza e ilirëve” nuk është thjesht një përmbledhje studimesh dhe botimesh të mëhershme të Profesor Muzafer Korkutit për këtë çështje. Ajo është një dëshmi historike e përpjekjeve të shkencës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të 20të për të ndriçuar një proces historik me rrjedhoja tejet të rëndësishme për historinë e lashtë të Ballkanit Perëndimor: origjinën dhe shfaqjen e ilirëve. Së bashku me vazhdimësinë iliro-shqiptare, origjina dhe formimi i ilirëve përbënte një nga çështjet thelbësore të arkeologjisë së re shqiptare të pas Luftës së Dytë Botërore.

Profesor Muzafer Korkuti nga ana tjetër, është përfaqësuesi më i mirë i brezit të ri të arkeologëve shqiptarë, të formuar në vitet e pasluftës, që kontribuoi më shumë se kushdo tjetër në studimin e etnogjenezës së ilirëve. Kjo është padyshim ndjesia e parë e këtij botimi që të shoqëron gjatë gjithë udhëtimit kronologjik të gjashtë studimeve të përfshira. Nuk ka mënyrë tjetër më të mirë për t’u njohur me evoluimin e mendimit të shkencës shqiptare të shekullit të kaluar për çështjen e origjinës dhe formimit të ilirëve, se leximi i kujdesshëm i kësaj përmbledhjeje.

Duke filluar nga viti 1969, Profesor Korkuti ka përfaqësuar qëndrimin dhe arritjet e arkeologjisë shqiptare për këtë problem në forumet shkencore që krijuan edhe profilin, edhe vendin ndërkombëtar të disiplinës arkeologjike, si Sesioni Shkencor “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve” të vitit 1969, Kuvendi i Parë i Studimeve Ilire në vitin 1972, revista “Iliria” me botimin “Mbi disa probleme lidhur me etnogjenezën e ilirëve” në vitin 1982, për të ardhur në botimin kolektiv të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për Historinë e Popullit Shqiptar të vitit 2002.

Përmbledhja pasohet edhe me një shtojcë, në të cilën Profesor Korkuti mban një qëndrim kritik ndaj një numri të madh botimesh të këtyre 15 vjetëve të fundit, që i rikthehen trajtimit të origjinës së ilirëve nga një pozitë fatkeqësisht diletante dhe nacionaliste, me mungesa të theksuara koherence të argumenteve dhe të dhënave arkeologjike, historike dhe gjuhësore. Sidoqoftë, një vend qendror zë në këtë përmbledhje botimi për herë të parë në mënyrë integrale i disertacionit të Profesor Korkutit të titulluar “Probleme të pre dhe protohistorisë ilire në dritën e të dhënave të Shqipërisë” të vitit 1978. Ky është padyshim punimi më i plotë për temën e etnogjenezës së ilirëve, në të cilin të dhënat e shumta të prehistorisë së Shqipërisë analizohen nga autori në funksion të ndërtimit të procesit historik dhe etno-kulturor që karakterizojnë epokat e Bronzit dhe të Hekurit. Etnogjeneza e ilirëve shihet si pjesë e këtyre proceseve dhe e lidhur ngushtë me shkak-pasojat e tyre.

ÇËSHTJET
Unë nuk kam marrë përsipër të përshkruaj në këto pak fjalë përmbajtjen e studimeve të përmbledhjes më të re të Profesor Korkutit, por do të doja të ndalesha në dy çështje që i konsideroj si kontributet më të rëndësishme të tij në studimet arkeologjike shqiptare dhe që shfaqen shumë qartë këtu. Kontributi i parë lidhet me qasjen historike të të dhënave arkeologjike, ose raporti dinamik midis arkeologjisë dhe historisë së lashtë të Shqipërisë. Kjo është një çështje thelbësore për arkeologjinë, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me rolin e saj në formulimin e dijeve shkencore. Aq më tepër i rëndësishëm bëhet ky diskutim për arkeologjinë shqiptare që është një disiplinë e re dhe me nevojë të madhe për t’u orientuar në mënyrën e interpretimit të të dhënave të saj. Profesor Korkuti i është përgjigjur qartë kësaj nevoje për orientim të arkeologjisë shqiptare: “arkeologjia e Shqipërisë pa historinë e lashtë të Shqipërisë nuk mund të jetë e plotë”.

Qysh në rininë e vet arkeologjia në Shqipëri konceptohet si një disiplinë historike që ndihmon në sqarimin e problemeve që nuk mund të ndriçohen me ndihmën e burimeve të shkruara. Etnogjeneza e ilirëve është pikërisht një nga këto probleme historike për diskutimin e të cilës arkeologjia merr një rëndësi të veçantë.

Thelbi i studimeve të këtij botimi është pikërisht ky: vendosja e të dhënave arkeologjike në një kontekst historik, interpretimi i tyre në mënyrë të tillë që të evidentojnë përmbajtje historike, përdorimi i kronologjive dhe tipologjive arkeologjike si argument të proceseve historike. Arkeologjia në këtë mënyrë merr kuptim në gjirin e shkencave humane.

Nuk mbetet shkencë e studimit të artifakteve si qëllim në vetvete, por i kthen sytë nga studimi i historisë së njerëzimit, vë në qendër studimin e procesit historik. Mendoj se ky është një tipar thelbësor i arkeologjisë shqiptare dhe Profesor Muzafer Korkuti ka një kontribut të veçantë në konsolidimin e tij. Krahas studimit të temave të tilla si: lindja e jetës qytetare tek ilirët (Hasan Ceka, Selim Islami, Frano Prendi, Neritan Ceka), formimi i popullsisë shqiptare në Mesjetën e hershme (Skënder Anamali, Aleks Buda), etnogjeneza e ilirëve si kontribut thelbësor i Profesor Korkutit plotëson rolin e madh të historicizmit në karakterin e arkeologjisë shqiptare.

Një analizë e shpejtë e lindjes dhe zhvillimit të arkeologjisë sonë në mesin e shekullit të kaluar, tregon qartë se qasja historike saj ishte një nga tiparet kryesore që duhej përvijuar. Në Kuvendin e Dytë të Studimeve Ilire, Profesor Aleks Buda, kryetar i atëhershëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e shprehte fare qartë këtë, duke theksuar se “… arkeologjia shqiptare formoi e forcoi fizionominë e vet, jo më si një ndihmëse e thjeshtë e historiografisë, por si pjesë integrale e mirëfilltë e historisë, si realitet e si shkencë”.

Kjo qasje historike ndaj të dhënave arkeologjike është padyshim rezultat edhe i rrënjëve të thella europiane të shkencës shqiptare. Sikurse paraardhësit e tij Islami, Anamali, Ceka, Prendi, profesor Korkuti u formua profesionalisht nën ndikimin e fortë të traditës arkeologjike të kontinentit të vjetër, në të cilin arkeologjia kishte lindur dhe ishte zhvilluar në lidhje të ngushta intelektuale dhe administrative me historinë. Është pikërisht ky orientim i qartë studimi që ndikon fort aktivitetin kërkimor të profesor Korkutit qysh në fillimet e tij.

Bashkëpunimi i tij me Profesor Anamalin “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve në dritën e kërkimeve arkeologjike shqiptare” ilustron se sa larg mund të shkonte interpretimi arkeologjik edhe pse të dhënat ishin ende të paplota si nga pikëpamja sasiore, ashtu dhe ajo gjeografike.

Kontributi tjetër shumë i rëndësishëm i autorit për arkeologjinë shqiptare dhe që ndihet kudo në këtë përmbledhje studimesh është ai i shpjegimit të koncepteve bazë teorikë që qëndrojnë në themelin e interpretimeve arkeologjike. Një ndihmesë e tillë e Profesor Korkutit bëhet edhe më e rëndësishme në rrethanat e një mungese pothuajse tërësore të diskutimit të bazës teorike të arkeologjisë shqiptare të shekullit të kaluar.

Shndërrimi i gjetjeve arkeologjike në fakte historike kërkon një aparat teorik dhe një tërësi konceptesh operative që e bëjnë të mundur interpretimin. Arkeologjia shqiptare padyshim që ishte bazuar në konceptet e arkeologjisë europiane të mesit të shekullit të 20të, por mungonte një diskutim i qartë i përmbajtjes së tyre dhe i mënyrës së përdorimit për qëllime interpretimesh me natyrë historike. Artikulli i Profesor Korkutit në revistën Iliria të vitit 1982 (përfshirë në këtë përmbledhje si kreu IV) “Mbi disa probleme lidhur me etnogjenezën e ilirëve” plotëson këtë boshllëk të madh në studimet arkeologjike shqiptare.

Përcaktimi i termave dhe koncepteve të tilla si “kulturë – kulturë arkeologjike”, “grup kulturor”, raporti kulturë-etnos, janë vetëm disa nga blloqet kryesorë të interpretimeve me karakter historik të të dhënave arkeologjike. Autori i përcakton “kulturat arkeologjike” si “… tërësia e objekteve (vegla pune, armë, qeramikë, stoli, objekte kulti, arkitekturë, etj.) të një vendi ose territori të caktuar, të dala nga dora e njeriut, si rezultat i veprimtarisë së tij prodhuese”.

Edhe pse jo referuar drejtpërdrejtë, në këtë përcaktim ndihet ndikimi i mendimit të Gordon Childe si një përfaqësues i shkollës historike-kulturore të arkeologjisë europiane. Logjika interpretuese arkeologjike shtyhet shumë më tej në përcaktimet që Profesor Korkuti bën se “…duke studiuar kulturën materiale mund të ndërtojmë historinë e fiseve dhe të popujve, veçanërisht në epokën prehistorike, mund të nxirren përfundime mbi nivelin e zhvillimit të forcave prodhuese dhe të marrëdhënieve në prodhim; … mund të nxirren përfundime mbi karakterin klasor të kulturës dhe të përcaktohen disa shfaqje të superstrukturës; …mund të nxirren të dhëna me karakter etnik.

Kultura materiale në arkeologji ka një kuptim të gjerë dhe përgjithësisht paravendos elemente të ekonomisë…, por nuk mund të barazohet me termin zhvillim ekonomiko-shoqëror e nuk nënkupton tërësinë e marrëdhënieve ekonomiko-shoqërore”. Si mund të diskutohej etnogjeneza e ilirëve pa kuptuar mirë mekanizmat e interpretimeve arkeologjike, si mund të shndërroheshin fragmentet e objekteve në histori njerëzore?! Ura lidhëse mes objekteve dhe shoqërisë që i kishte prodhuar/përdorur ato në prehistorinë e largët ndërtohej me blloqe që përbëheshin pikërisht nga këto koncepte. Lidhja e këtyre blloqeve me njëri-tjetrin duhet të kalonin testin e koherencës logjike.

MARKSIZMI
Këtë koherencë duket qartë se e siguron një vizion i përcaktuar mirë për botën; një mënyrë e strukturuar e të kuptuarit të shoqërisë, pa të cilën ura interpretuese që të çonte nga objekti për te shoqëria nuk mund të qëndronte në këmbë – këtë rol e luante marksizmi.

Interpretimet e profesor Korkutit për etnogjenezën e ilirëve mbajnë vulën e fortë të natyrës sistemike marksiste të të parit të shoqërisë njerëzore, ku baza e shoqërisë dhe suprestruktura ideologjike e saj, forcat prodhuese dhe marrëdhëniet në prodhim ndodhen në një ekuilibër dialektik të karakterizuar nga lufta dhe uniteti i të kundërtave. Shoqëria njerëzore shpenzon shumë energji për ruajtjen e këtij ekuilibri, por prishja e tij qoftë edhe në një sferë të caktuar të jetës shoqërore mund të çojë në prishjen tërësore të të gjithë sistemit.

Ekuilibri i trazuar mund të rivendoset vetëm nga një sistem i ri shoqëror. Nuk është vendi këtu për të nënvizuar rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm që marksizmi ka luajtur në debatin dhe progresin e shkencave shoqërore dhe arkeologjisë botërore në veçanti (nga Gordon Childe, deri tek neo-marksistët përfaqësues të arkeologjisë post-procesuale), por nuk mund të lë pa theksuar rëndësinë e madhe të tij në studimin e një teme delikate si etnogjeneza e ilirëve.

Autoktonia e popullsive ilire e argumentuar arkeologjikisht nga Profesor Korkuti në të gjitha punimet e kësaj përmbledhjeje dhe vazhdimësia kulturore e tyre gjatë epokave të Bronzit dhe të Hekurit nuk mund të shndërroheshin automatikisht në një proces ngjizës etnik pa e zgjeruar ekuacionin me faktorë të tjerë si p.sh. niveli i zhvillimit të forcave prodhuese (teknologjia, intensiteti i këmbimeve, etj.) dhe marrëdhënieve në prodhim (diferencimet horizontale dhe vertikale brenda shoqërisë së epokës së Bronzit, shfaqja e elitës fisnore dhe e ritit të varrimit me tuma).

Përtej vlerës historike të trajtimit të problemit të prejardhjes dhe formimit të njërit nga popujt më të hershëm dhe me histori të pasur të Ballkanit, studimet e Profesor Muzafer Korkutit të paraqitura në këtë botim përbëjnë një shembull të rrallë të shtrimit dhe zgjidhjes shkencore të një problemi të vështirë.

Argumentet këtu marrin karakter shkencor, sepse bazohen në të dhëna të mbledhura me një metodologji të përcaktuar qartë (gërmime stratigrafike arkeologjike, studime tipologjike të kategorive të ndryshme të objekteve, qasje krahasuese brenda një zone gjeografike dhe më gjerë), në koncepte operativë të shpjeguara mirë (kulturë arkeologjike, grup kulturor, raporti kulturë materiale – karakter etnik, etj.) dhe mbi të gjitha, një sistem teorik të të kuptuarit dhe shpjegimit të shoqërisë njerëzore (marksizmi).

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb