Mes Vasil Shantos, Reshit Rusit dhe forcave të xhandarmërisë ka pasur shkëmbim zjarri.

E, megjithatë, Vasil Shanto ka mundur të eliminojë disa materiale kompromentuese. Pranë trupit të vrarë, xhandarët gjetën hirin e letrave dhe dokumenteve që kishte djegur në momentet e fundit. Por, bashkë me Vasil Shanton dhe Reshit Rusin ka qenë edhe një person i tretë për të cilin është folur shumë pak.

Në një procesverbal të Xhandarmërisë së Shkodrës më 14 shkurt 1944 shkruhet e plotë dëshmia e Miladin Popoviçit që përpara xhandarmërisë është prezantuar me emrin Naum Zafirof që kishte qenë bashkë me Vasil Shanton dhe Reshit Rusin në këtë përpjekje me armë. Popoviçi ishte një emisar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë që u dërgua në Shqipëri për të ndihmuar dhe organizuar themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Ai jo vetëm mori pjesë në mbledhjen themeluese të kësaj partie, por ishte një nga bashkëpunëtorët e Enver Hoxhës edhe për shumë vite.

Sipas të dhënave, në fillim të vitit 1944 Miladini është bashkuar me Vasil Shanton në Kolashin të Malit të Zi në rrethana misterioze. Xhandarmëria e Shkodrës pasi mori informacion se Vasil Shanto ndodhej në zonën e Vrakës, u vu në ndjekje. Naum Zafirof dëshmon:
“Më datë 29 kallnuer 1944, kena nisë udhëtimin tue udhëtue atë ditë dhe atë natë gjithë natën. Herë rrugës e herë nëpër male kena mbërrijtë në vendin ose ma mirë me thanë në katundin ku jena takue me patrullat e gjinadarmërisë, rezultati i të cilit duket. Gjatë udhëtimit Vasili na ka porositë që të ecshim me vëmendje dhe pa zë, përse ishte friga që do të hetojshim prej ndonjë patrulle. Unë kam qenë i armatosun me një mashinë (automatik, shën.aut.) dore tip ingleze, e cila ka pas një krahan me 32 copë fishekë, Vasili ka pas edhe ai mashinë të tipit gjerman, por nuk e di sa municione ka pasë, por vetëm mbaj mend që ka pas tre krahna në çantën e mashinës e cila sigurisht që do të kenë qenë e mbushun. Më duket se ka pasë edhe një revolver, por nuk e mbaj mend mirë. Vasili ka pasur edhe bomba, por nuk e di sa ka pasë.”
Ndërsa Vasil Shanto dhe Reshit Rusi mbetën të vrarë, Naum Zafirof, më saktë Miladin Popoviçi, u zu rob. Ai e dëshmon kështu momentin e dorëzimit, por edhe reagimin e Vasilit Shantos:
“Në rastin që jemi takue me gjindarmët… kena tentue me ikë nji rruge që të çonte rrazë malit, por edhe atje kemi pa vendin të rrethuem. Atëherë unë tue e pa vedin në rrezik, mbasi gjindarmët shtieshin gjithnjë kundra nesh, bërtita “mos shtini, mos shtini” dhe me këtë rast kam hedhë mashinen (armën) për tokë dhe jam zanë rob prej gjindarmëve, unë me mashinë nuk kam mujtë me shtie asnjë fishek, pse ndjekja që na u ba ishte e shpejtë… nësa Vasili edhe mbas dorëzimit tem ka shti me bombë e me mashinë kundër gjindarmëve”.
Është shumë e dyshimtë se si më pas Miladin Popoviç është liruar. Në shtator të vitit 1944 ai urdhërohet të largohet nga Shqipëria për të shkuar në Kosovë, ku pak muaj më vonë do të vritej.

SI U ORGANIZUA VRASJA E VASIL SHANTOS
Mëngjesin e të martës së 1 shkurtit 1944 banorët e fshatit Vrakë janë zgjuar nga të shtënat e armëve. Një repart i Xhandarmërisë së Shkodrës po ndiqte tre persona për t’i kapur, por rezistenca e tyre bëri që ndjekja të fillojë me të shtëna armësh nga të dy palët. Nga thellësia e viteve na vjen dëshmia e një banori të fshatit që ka parë të gjithë skenën. Marash Berisha, djali i Prekë Ukë Lulashit, i cili pati pasoja nga regjimi komunist, jep një variant tejet interesant për këtë ngjarje:
“Njerëzit e ngarkuar me këtë punë e kanë ruajtur, gjersa janë futur në fshatin Vrakë dhe e kanë qëlluar, teksa po i drejtohej lundrës në breg të liqenit të Shkodrës. Vrakaçorët sapo dëgjuan pushkët, dolën jashtë për të marrë vesh se çfarë ishin këto pushkë dhe njerëzit e Enverit hapën fjalën se “kanë ardhur Hallunoviçtë me vra gjakësit”. Kjo përkonte me një rast hasmërie, që fisi shkodran i Hallunoviçve kishte me fisin e Dem Metajve në Vrakë. Këta të fundit lëshuan kushtrimin te meshkujt e fisit të tyre që banonin në Guci dhe në Grudë të Re. Sapo dëgjuan kushtrimin, rreth 40 meshkuj nga këto fshatra morën armët dhe u nisën drejt Vrakës për të luftuar Hallunoviçtë. Sapo kanë hyrë në Vrakë, kanë shkrehur armët, për të treguar se erdhën e për të parë se ku janë hasmit e tyre. Por në fakt, ata nuk panë asnjë person nga fisi i hasmit, por panë vetëm të vrarë në breg të liqenit Vasil Shanton së bashku me Reshit Rusin. Pasi i identifikuan mirë dhe kur e panë se këta dy persona nuk kishin lidhje me hasmin, u kthyen në shtëpitë e tyre”.

KOMUNISTI I BINDUR VASIL SHANTO
Për të kuptuar përse Vasil Shanto ishte bërë komunist mjafton të lexojmë deponimet e tij në procesin gjyqësor në Gjykatën e Posaçme për Faje Politike, në seancën e datës 4 shkurt 1939. Ja si i është përgjigjur pyetjes së gjykatësit përse ishte komunist.

“Jam i bindur se komunizmi duhet patjetër të ekzistojë në Shqipni dhe këtë bindje e kam formue nga vuejtjet e klasës punëtore, bile zoti kryetar ju deklaroj haptaz se 90 për qind e bukës që bahet prej furrtarëve sot asht e infektueshme prej turbekulozit, mbasi shegertët që shërbejnë në furrtarë nuk kanë kurrë pushim e duke punue natë e ditë e duke fjetur mbi thasë të miellit e ndonjëherë në çimento dhe ushqimin e kanë të keq e shpërblehen pak. Këtë e di se jam vet furrtar, prandaj edhe unë vendosa të bëj propagandë dhe ç’do të bahet më vonë nuk e di, se kjo nuk varet prej nesh, po prej punëtorëve dhe katundarëve të cilët vuajnë”.
Por nga bindja për një jetë dhe rend më të mirë Vasil Shanto kaloi në aksione me armë. Më 20 maj 1943 ai u dënua me vdekje nga një gjykatë në Tiranë për pesë vepra penale: përgjegjës për fajet e organizimit dhe drejtimit subversiv, ideator për të zhvilluar diktaturën e një klase shoqërore mbi të tjerat, propagandë subversive, kryengritje e armatosur dhe përdorim armë kundër shtetit dhe kundër objekteve private e shtetërore. Më 18 shtator 1942 Kuestura e Tiranës kishte vendosur internimin e familjes së tij për 5 vjet nga Tirana. Për italianët pushtues Vasil Shanto ishte një terrorist komunist, ndërsa për komunistët ishte një hero. Nga kjo datë Vasil Shanto ishte personi më i kërkuar në Shqipëri. Në Arkivin e Shtetit janë me dhjetëra e qindra kërkesat dhe informacionet e lëshuara nga zyrtarët e milicisë së asaj kohe që e kërkojnë patjetër arrestimin e Vasil Shantos, i deklaruar si i arratisur.
VASIL SHANTO
VIKTIMA: VASIL SHANTO
VIKTIKMA TË TJERA: Reshit Rusi
DATËLINDJA: 17 gusht 1913
VENDLINDJA: Vrakë, Shkodër, Shqipëri
DATA E VRASJES: E martë, 1 shkurt 1944
MOSHA E VIKTIMËS: 30 vjeç, 5 muaj e 15 ditë
VENDI I VRASJES: Në breg të liqenit të Shkodrës, fshati Vrakë, Shqipëri
AUTORI I VRASJES: Pjesëtarë të një reparti të Xhandamërisë së Shkodrës
MOTIVI I VRASJES: Vasil Shanto ishte person në kërkim, i dënuar me vdekje nga gjykata me 5 akuza të rënda
10 FAKTE
1.Vasil Shanto ishte një nga personazhet më të rëndësishme të rezistencës komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri
2.Vasil Shanto ka qenë pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë, më 8 nëntor 1941, në Tiranë
3.Vasil Shanto ishte një nga bashkëpunëtorët e afërt me Qemal Stafën e më pas edhe me Enver Hoxhën
4.Vasil Shanto ishte veprimtar aktiv i Partisë Komuniste dhe komandant i njësiteve guerile në Shkodër dhe Tiranë. Ai organizoi dhe mori pjesë në disa aksione e atentate ndaj personave të ndryshëm
5.Vasil Shanto u arrestua tri herë në jetën e tij për veprimtari komuniste dhe veprimtari antiligjore
6.Më 4 shkurt 1939 Gjykata e Posaçme për Faje Politike e dënoi Vasil Shanton me 10 vjet burg
7.Vasil Shanto vuajti dënimin në Burgun e Beratit deri më 7 prill 1939, kur ky burg u shpërthye dhe u liruan të gjithë të burgosurit
8.Më 18 shtator 1942 kryetari i Komisionit Qazim Mulleti vendosi internimin e familjes së Vasil Shantos nga Tirana
9.Më 29 maj 1943 Gjykata e Posaçme e Shtetit e dënoi me vdekje në mungesë Vasil Shanton për 6 akuza, mes tyre më e rënda për kryengritje të armatosur
10.Në momentin e vrasjes së Vasil Shantos u kap rob Miladin Popoviçi, i cili ishte bashkë me të
10 MISTERE
1.Si ka mundësi që Vasil Shanto, një personazh shumë i rëndësishëm i Partisë Komuniste dhe themelues i kësaj partie caktohej në detryën e rëndomtë të një shoqëruesi të Vukmanoviç Tempos?
2.Si ka mundësi që Vasil Shanto u vra menjëherë pas kthimit nga shoqërimi që i bëri Vukmanovic Tempos, emisarit jugosllav, në një udhëtim të tij nga Korça në Tiranë?
3.Si ka mundësi që Vasil Shanto ishte në ilegalitet të plotë dhe kërkohej, por u caktua shoqërues në një udhëtim të gjatë?
4.Kush e caktoi Vasil Shanton si shoqërues të Vukmanoviç Tempos nga Korça në Tiranë?
5.Përse Vasil Shanto i tha Nexhmije Dumes se ky kishte për të qenë udhëtimi i fundit në jetë?
6.Në cilat rrethana u bashkua me Vasil Shanon në Kolashin të Malit të Zi, Miladin Popoviç?
7.Si ka mundësi që ndërsa Vasil Shanto dhe Reshit Rusi mbetën të vrarë nga forcat e xhandarmërisë, Miladin Popoviçi u dorëzua duke rënë rob?
8.Si ka mundësi që është mbajtur i fshehtë fakti që në momentin e vrasjes së Vasil Shantos ka qenë prezent Miladin Popoviçi?
9.Si ka mundësi që pas dëshmisë së tij Miladin Popoviçi arriti të lirohej?
10.Si ka mundësi që vetëm 7 muaj pas vrasjes së Vasil Shantos, Partia Komuniste Jugosllave urdhëroi që Miladin Popoviçi të largohej nga Shqipëria dhe të shkonte në Kosovë?
Shifrat
73 KOMUNISTË
U arrestuan dhe dënuan në dhjetor 1938, mes tyre ishte edhe Vasil Shanto
10 VJET BURG
U dënua Vasil Shanto në shkurt të vitit 1939 për prirjet e tij komuniste. Ky ishte dënimi më i rëndë mes tyre
100 KOPJE TË FOTOGRAFISË
së Vasil Shantos përgatiti Kuestura e Tiranës për identifikimin dhe kapjen e tij si person i rrezikshëm
5 VJET INTERNIM TË FAMILJES
së Vasil Shantos vendosi kuestura më 18 shtator 1942, duke e larguar nga Tirana. Arsyetimi ishte se Shanto konsiderohej si person i rrezikshëm dhe se familja e ndihmon qëllimisht qëndrimin e tij në arrati
DËSHMI DHE DEKLARATA
Vasil Shanto, pak momente përpara vrasjes
“Jo, mue ende nuk më lejohet të vdes, duhet të hakmarrem dhe të zhduk me çdo kusht dokumentat e partisë”. (Kasneci Lefter, Janushi Raqi, Sallabanda Stiliano, Kronikë e ditëve të stuhishme, faqe 39.)
PËR VASIL SHANTON
Beqir Xhepa, korrieri i Qemal Stafës
“Jo vetëm që Vasil Shanto ishte i atij mendimi, por që nga ajo kohë e deri ditën që u vra, ai i kishte të ftohura marrëdhëniet me Enver Hoxhën. Këtë gjë e dinë mirë shumë nga komunistët e asaj kohe që jetojnë akoma edhe sot, të cilët e dinë që edhe Vasili u vra gjatë një shërbimi që i kishte ngarkuar Enver Hoxha”.

*Marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017” Roland Qafoku

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: