TIRANE- Thellohet bilanci i viktimave nga virusi i gripit, duke shkuar në shtatë numri i personave që kanë humbur jetën në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë deklaroi sot se një tjetër fëmijë humb jetën nga virusi i gripit. Mësohet se 3-vjeçari me inicialet B.Z, vdiq pasi ishte prekur nga virusi i gripit stinor A. Ndërkohë, dy rastet e tjera u shënuan në Vlorë dhe në Korçë.

Po këto burime pohojnë se shtetasja me inicialet S. S., 82 vjeç, banuese në Vlorë, ka ndërruar jetë në datë 14 janar në spitalin e Vlorës, ndërsa shkak është bërë virusi i gripit stinor A. Po ashtu, dje ka humbur jetën dhe shtetasja me inicialet V. B., 71 vjeç.

MINISTRIA E SHENDETESISE: VDESIN DHE DY GRA
Pacientja S. S., 82 vjeç, banuese në Vlorë, shtruar në shërbimin infektiv, dhe më tej në reanimacionin e spitalit rajonal të Vlorës në datë 01/01/2017, me diagnozë, “Insufiçencë multiorganore, post-gjendje febrile,” ka ndërruar jetë në datë 14/01/2017. Mostrat e ekzaminuara nga Instituti i Shëndetit Publik konfirmojnë se pacientja ishte e prekur edhe nga virusi i gripit stinor A.

Pacientja V. B., 71 vjeç, banuese në Korçë, e shtruar në spitalin e Korçës më datë 09.01.2017, me diagnozë: “Insufiçencë multiorganore, Meningoencefalit, Sëmundje Renale akute, Pneumoni masive sinistra”, ka ndërruar jetë në orët e mbrëmjes së datës 16.01.2017. Mostrat e ekzaminuara nga Instituti i Shëndetit Publik, konfirmojnë se pacientja ishte e prekur edhe nga virusi i gripit stinor A.

Arrin në shtatë, numri i rasteve të konfirmuara, pas dy rasteve të raportuara në dt. 05/01/2017, atij të datës 11/01/2017, rastit të datës 13/01/2017 dhe rastit të mëngjesit të sotshëm (dt. 17/01/2017), nga Ministria Shëndetësisë për persona që kanë ndërruar jetë, të cilët, përveç sëmundjeve të tjera, kanë rezultuar të prekur edhe nga virusi i gripit të stinës A.

NJOFTIMI I MSH PER VDEKJEN E FEMIJES
Ministria e Shëndetësisë informon se pacienti B. Z., i datëlindjes 06/05/2014, lindur në Shënkoll, Lezhë, i vaksinuar rregullisht, ka patur prej një jave klinikë me temperaturë, ethe, kollë. Pasi është paraqitur disa herë në urgjencën e spitalit Lezhë, më datë 14/01/2017 shtrohet në spitalin e Lezhës me diagnozën “Infeksion viral me insufiçiencë respiratore”, ku edhe pas trajtimit spitalor gjendja mbetet e njëjtë.

Më datë 15/01/2017 transferohet në Tiranë dhe shtrohet në Reanimacionin e Shërbimit të Pediatrisë në QSUT, ku ka patur edhe shenja të tjera klinike si, mosreagim ndaj dhimbjes, hipotoni muskulare, gjendje prekome, vështirësi në frymëmarrje dhe frymëmarrje të zhurmshme. Pacienti është konfirmuar me diagnozën: “Encephalomielit”.

Gjatë të njëjtës javë, familjarët me të cilët jeton, katër pjesëtarë (nëna, babai, gjyshja, gjyshi) kanë kaluar sëmundje respiratore të ngjashme me gripin. Mostrat e marra për ekzaminim nga ISHP-ja konfirmojnë që pacienti ishte i prekur nga virusi i gripit stinor A.

Edhe pas trajtimit në Reanimacionin e Shërbimit të Pediatrisë në QSUT, pacienti ndërron jetë në orët e para të mëngjesit të datës 17/01/2017. Ky është rasti i pestë i konfirmuar, pas dy rasteve të raportuara në dt. 05/01/2017, atij të datës 11/01/2017 dhe rastit të datës 13/01/2017 nga Ministria Shëndetësisë për persona që kanë ndërruar jetë, të cilët, përveç sëmundjeve të tjera, kanë rezultuar të prekur edhe nga virusi i gripit të stinës A.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: