Ndërkohë që Sllovenia, Serbia e Maqedonia kanë mbyllur hermetikisht kufijtë, situata e refugjatëve sirianë në Greqi, pranë kufirit me Maqedoninë bëhet çdo orë e më e rëndë. Mes ujit dhe baltës kanë ngecur rreth 13 000 njerëz në kampin e Idomenisë, ku kushtet kanë degraduar dhe si pasojë e tyre edhe tensioni është rritur.

Refugjatët janë përleshur me njeri-tjetrin me gurë e shkopinj për bukë e fruta. Fëmijët janë të sëmurë dhe shpresa sa vjen e zbehet, ndërkohë që numri i të ardhurve nga ishujt sa vjen e rritet dhe kampi shtohet me orë. Po ashtu autoritetet janë të shqetësuar për rrezikun e shpërthimit të epidemive.

Refugjatët janë të vendosur të vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt Evropës veriore, por me shiu që vijon të bjerë kampi është kthyer në një pishinë gjigande bataku, ku njerëzit kërkojnë të gjejnë një qoshe të ngrohtë për të përballuar vështirësitë …

Kufiri me Maqedoninë mbetet i mbyllur plotësisht për 24 orëshin e tretë dhe askush nuk e di se kur dhe në çfarë kushtesh do të hapet sërish. Ministria e Brendshme sllovene njoftoi se do të kufizojë numrin e emigrantëve dhe do të lejojë kalimin vetëm për “arsye humanitare” dhe të atyre që planifikojnë të kërkojnë azil në Slloveni. Po ashtu Serbia nga dje në mesnatë ka filluar të zbatojë të njëjtat masa si ato të vendosura nga Sllovenia për hyrjen e refugjatëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: