VLORE- Përveç aeroportit të ri në Vlorë, kryeministri Rama tregoi të gjitha projektet e zhvillimit të zonës nga ku ka dalë deputet.

Ai tha se vlonjatët nuk po i ankohen më për Lungomaren, për bllokime në rrugë, duke shtuar se i gjithë durimi i tyre ia ka vlejtur, por shtoi se të tjera projekte me vlerë e perspektivë pritet të ketë për ta, siç është rruga Orikum-Llogara e bulevardi i ri.

“Në vjeshtë nis rruga Orikum-Llogara, nga porti i jahteve deri në hyrje të Llogarasë. Ka filluar projekti për tunelin e Llogarasë që do të krijojë një lidhje shumë të shpejtë. Nga ana tjetër e kthen parkun e Llogarasë në një destinacion turistik, jo vetëm rrugë kalimi për gjithë sezonin turistik. Kemi nisur ndërtimin e bulevardit të Vlorës, që do të jetë vazhdimi i vijës magjepsëse të Lungomares. Nuk kam më asnjë ankesë, as me mesazhe as në FB nga vlonjatët, se u bllokuam këtu e u bllokuam aty, se s’kemi ku lëmë makinat. Të gjithë e kuptojnë se ia vlejti sakrifica e bllokimit dhe durimit. Bulevardi do jetë gati në sezonin tjetër turistik”,- tha Rama.

Po ashtu i pari i qeverisë u shpreh se rruga e përfunduar e Kaninës ka nevojë të gjelbërohet e të sistemohet i gjithë aksi.

“Kemi projekt për të ndërtuar tre terminale për kroçera, në Durrës, Vlorë e Sarandë. Vlora do të bëhet gjithnjë e më tepër e kërkuar nga turistët me portin e kroçerave, ndërkohë po vazhdojmë punën për të bërë disa investime në marinat e jahteve dhe varkave turistike, qoftë në Vlorë dhe qoftë në Sarandë”,- shtoi ai.

Numri një i qeverisë, ka bërë të ditur se vetëm nga aeroporti i Vlorës do hapen rreth 27 mijë vende të reja pune dhe do të jetë një aeroport ndërkombëtar që do të jetë konkurrues i drejt për drejtë me Rinasin.

“Nga pikëpamja e parametrave do të jetë jashtëzakonisht cilësor dhe nga pikëpamja e çmimeve do të jetë shumë më i favorshëm për udhëtarët, qofshin vendas, e qofshin vizitorë. Jemi drejt përfundimit të negociatave që të kemi aeroportin e Vlorës me tarifat më të ulëta në rajon. Kjo ka qenë kërkesa jonë”, – u shpreh ndër të tjera, Rama, teksa shtoi se kërkesë është dhe për një aeroport mallrash, jo vetëm udhëtarësh.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: