Nga: KLODIANA HAXHIAJ*
KAVAJE- Skandal në zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës, në prag të celjes së sezonit turistik. Një ndërhyrje e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve dhe komunës Rrashbull për disiplinimin e ujërave të zeza që zbrisinin prej kodrës në rrugën dytësore ka shkatërruar tërësisht rrugën, duke sjellë krijimin e një grope të madhe.

Puna nisi me çarjen e trasesë së rrugës dytësore që lidh Plepat, zonën bregdetare me Golemin. Por ndërsa rruga është çarë dhe trafiku është bllokuar tërësisht, ujërat e zeza kanë shpërthyer duke u derdhur pa ndërprerje në garazhdet e pallateve për të përfunduar në det.

Si të mos mjaftonte e gjithë situata, punimet janë lënë në mes nga Ndërrmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve, punëtorët janë larguar, ndërsa era e rëndë është përhapur në të gjithë zonën. Komuniteti i biznesit ka deklaruar falimentimin, ndërsa banorët kanë dhënë alarmin për ndotjen e madhe mjedisore.

Në një situatë të tillë banorët gjendjen të bllokuar. Autobuzi i linjës Golem Durrës, i lë udhëtarët rreth 100 metra larg rrugës së dëmtuar, dhe ata kacavirren nëpër mure e shtigje për të kaluar në anën tjetër të saj, ku i pret autobuzi i linjës.
Banorët e zonës janë detyruar që për çdo shërbim të kalojnë në bregun e detit me automjete, duke e kthyer këtë zonë në një rrugë kalimi. Disa janë pa fat për shkak se rëra është e butë dhe makinat u mbeten aty.

Është sa tragjike aq edhe komike situata në këtë prag sezoni turistik. Ujwrat e zeza që zbresin nga kodra kanë vite që janë problematike. Tashmë një investim i lënë përgjysmë, bëhet shkak për prishjen e imazhit të turizmit, me pasoja të rënda jo vetëm në këtë fushë por edhe në aspektin shëndetësor dhe mjedisor.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: