Futbolli anglez nuk ka dyshim përsa i përket cilësisë apo popullaritetit që gëzon nga sportdashësit, por që nga nëntori i vitit të kaluar është përfshirë nga skandali i abuzimeve seksuale me fëmijët në akademitë e klubeve.

Për këtë çështje ka folur edhe ish-ylli i Manchester United, David Beckham, i cili në thelb pranon se ndoshta në ndonjë rast mund të jetë ndierë i poshtëruar, por kurrë i abuzuar.

“Është e tmerrshme ajo që ka ndodhur dhe tashmë duhet bërë diçka. Por në kohën time nuk ka ndodhur kurrë asgjë e tillë te Manchester United”, tha Beckham për BBC.

Por ish-mesfushori i Djajve të Kuq ka zbuluar se është ndjerë i poshtëruar kur i duhej të merrte “një mësim” kur ishte pjesë e akademisë së United. “I vetmi “abuzim” mund të ketë qenë rastet kur për të na dhënë një mësim, kur e kalonim kufirin, na detyronin të bënim kërcime qesharake përpara profesionistëve të tjerë, të cilët ishin heronjtë tanë asokohe.

Ishte poshtëruese, por jo abuzim. Kjo bëhej që ne të merrnim një mësim dhe nuk kishte asgjë të keqe këtu. Dëshiroj të besoj se FA po bën gjithçka në lidhje me çështjen e abuzimeve”, përfundoi Beckham.
Janë të shumtë ish-futbollistët që kanë dalë hapur duke zbuluar se kanë qenë viktima të abuzimit seksual. Policia është duke hetuar mbi dëshmitë e tyre, një pjesë e të cilave janë ndaj ish-trajnerit Barry Bennell i dënuar për pedofili. Edhe klubet e përmendura nga dëshmitarët kanë rënë dakord të bashkëpunojnë gjatë hetimit.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb