Gazi i shkarkimit të makinave me naftë të kolosëve gjermanë nuk është testuar vetëm tek majmunët por edhe tek qeniet njerëzore, shkruajnë mediat gjermane.

‘Sueddeutsche Zeitung’ dhe ‘Stuttgarter Zeitung’ kanë raportuar detaje të reja mbi testet në të cilat përfshihen Volkswagen, Daimler dhe BMW. Shoqëria e Kërkimeve Evropiane për Mjedisin dhe Shëndetin në Transport, e themeluar nga 3 kolosët e automjeteve, ka promovuar “një studim të shkurtër të inhalacionit me oksid nitrik tek njerëz të shëndetshëm”.

Eksperimentime mbi 25 persona
‘25 persona iu nënshtruan kontrolleve në klinikën universitare në Aquisgrana pasi kishin thithur për disa orë dhe në përqendrime të ndryshme oksid nitrik’ shkruan ‘Sueddeutsche Zeitung’. Sipas raportit të Shoqërisë së Kërkimeve që ka promovuar eksperimentet, dhe që citohet nga gazeta gjermane, nuk janë raportuar efektet nga emëtimet e gazit mbi pacientët. E njëjta shoqëri, ndoshta edhe për shkak të skandalit ‘dieselgate’, u shpërbë në vitin 2017.

Daimler distancohet nga rasti i ri
Daimler është distancuar menjëherë nga detajet e fundit. ‘Sueddeutsche Zeitung’ shkruan se kompania ka konfirmuar se ‘nuk ka patur asnjë ndikim mbi eksperimentimet’ dhe drejtuesit e kompanisë kanë shpërndarë një deklaratë ku thuhet: “Jemi të tronditur nga lloji i ekzaminimeve të kryera dhe i dënojmë ashpër ato testime”. Kompania gjithashtu ka nisur një hetim.

Saksonia e Poshtme: “Volkswagen të japë sqarime”
Ndërkohë autoritet politike i kërkojnë kompanisë Volkswagen që të japë një sqarim të plotë. Stephan Weil, presidenti i landit të Saksonisë së Poshtme, landi që përfaqëson një nga aksionerët e mëdhenj të kompanisë, tha përmes një deklarate të shtunën në lidhje me ekperimentet e kryera tek majmunët se bëhet fjalë për procedura “absurde”, dhe sipas tij, është diçka shumë më e rëndë nëse testet janë kryer tek njerëzit. Weil gjithashtu kërkoi që të sqarohet edhe qëllimi i testeve. “Nëse testet nuk u promovuan për të mbrojtur punëtorët në fabrikë, por për qëllime të marketingut dhe shitjes, në këtë rast nuk gjej asnjë justifikim të pranueshëm për procedura të tilla” tha Stephan Weil.

Për momentin kolosi i Wolfsburg kufizohet duke deklaruar se ‘në asnjë mënyrë nuk janë të pranueshme’ testet e gazit mbi majmunët dhe ‘kush ka gabuar do ta paguajë’, ndërsa Presidenti i Këshillit të Mbikqyrjes Hans Dieter Poetsch deklaroi: “Në emër të gjithë këshillit të mbikqyrjes, distancohem me gjithë forcë nga praktika të tilla. Do bëj të pamundurën që të kryhet një hetim i plotë mbi procedurën. Dhe kush ka përgjegjësi do përgjigjet.”
(a.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb