TIRANE – Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri foli sot në lidhje me hetimin që ka nisur Prokuroria ndaj kompanisë që fitoi tenderin për prodhimin e uniformave të reja të Policisë së Shtetit.

“Policia e Shtetit porositi disa uniforma, të cilat erdhën jashtë standardeve siç, me sa duket dhe me sa jam informuar nga Policia. Policia ndërpreu kontratën, Policia nuk pranoi të merrte në dorëzim uniformat, bëri kallëzim në Prokurori. Shembull më të mirë të përkushtimit për të respektuar ligjin dhe për t’u shërbyer punonjësve të policisë që të kenë uniforma të denja, unë nuk di që të ketë”, deklaroi ministri Tahiri teksa u pyet lidhur me këtë çështje, në inaugurimin e përfundimit të punimeve për ndërtimin e repartit të FNSH-së, në Vaqarr.

Dy ditë më parë, Policia e Shtetit sqaroi arsyet e prishjes së kontratës me kompaninë që fitoi tenderin për uniformat, “Marsi&Al”. Sipas deklaratës së Policisë së Shtetit, kontrata është ndërprerë për shkak të cilësisë së dobët të uniformave.

“Analizat laboratorike kanë treguar se më shumë se 10 objekte të ndryshme që i përkasin uniformës së Policisë së Shtetit, nuk janë në parametrat e kërkuara sipas specifikimeve teknike të tenderit dhe në përputhje me kontratën e firmosur. Ndër materialet që nuk kanë qenë në përputhje me specifikimet e kontratës është objekti “Bluzë pambuku me 2 kopsa për Policinë Rrugore”, e cila është testuar në përdorim, nga ku ka rezultuar me humbje të ngjyrës (pjesa e verdhë) deri në 70% të saj.”- bëri të ditur policia.

Gjithashtu, Policia theksoi nuk ka derdhur asnjë detyrim monetar pranë kompanisë “Marsi&Al”.

DEKLARATA E PLOTE E POLICISË
Lidhur me lajmin e publikuar sot ne media, per prishjen e kontratës me kompaninë që fitoi tenderin për pajisjen me uniforma të Policisë së Shtetit, sqarojme se: Policia e Shtetit ka ndërprerë kontratën me kompaninë “Marsi&Al”, e cila duhet të prodhonte uniformat e reja të punonjësve të policisë, për shkak të cilësisë së dobët të mallit dhe ka dërguar për ndjekje penale në Prokurori përfaqësuesit e saj zyrtarë. Përveç procedimit në Prokurori, ndaj kompanisë kontraktore, janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për bllokimin e garancise financiare te kontrates në favor të Policisë së Shtetit. Theksojmë se per shkak te cilesise se dobet te mallrave dhe jashte kushteve te kontrates, kompanisë nuk i eshte bere asnje pagese nga Policia e Shtetit.
Gjithashtu është përgatitur dokumentacioni për Agjencinë e Prokurimit Publik me qëllim përjashtimin e kësaj kompanie për një periudhë tre vjeçare nga konkurrimi për prokurime publike. Analizat laboratorike kanë treguar se më shumë se 10 objekte të ndryshme që i përkasin uniformës së Policisë së Shtetit, nuk janë në parametrat e kërkuara sipas specifikimeve teknike të tenderit dhe në përputhje me kontratën e firmosur.
Ndër materialet që nuk kanë qenë në përputhje me specifikimet e kontratës është objekti “Bluzë pambuku me 2 kopsa për Policinë Rrugore”, e cila është testuar në përdorim, nga ku ka rezultuar me humbje të ngjyrës (pjesa e verdhë) deri në 70% të saj. Policia e Shtetit ka zgjidhur kontratën në 2 shtator duke njoftuar shoqërinë për ndërprerjen e kontratës. Policia e Shtetit ka referuar një material kallëzimi pranë Prokurorisë, në ngarkim të kompanisë “Marsi & Al” sh.p.k., për akuzën “Shpërdorim i kompetencave”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: