FIFA me gjasë ka mbetur shumë e habitur nga precedenti “shqiptar”. Organi më i madh drejtues i futbollit në Europë ka nxjerrë blof Federatën Shqiptare të Futbollit për ndeshjen San Marino-Irlandë e Veriut, e cila është e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2018 dhe do të zhvillohet këtë të shtunë.

FIFA i ka dërguar një shkresë FSHF-së ku i bën të ditur se për takimin në fjalë do të drejtonin arbitra shqiptar dhe për këtë arsye duhej të dërgonte katër emra, një arbitër kryesor, dy anësorët dhe një i katërt.
Enea-Jorgji-Rejdi-Avdo-470x247
Në këto kushte, sektori i gjykimit në FSHF, duhet të dërgonte brenda një afati të shkurtër katër emra, pikërisht atë të kryesorit, dy anë-sorëve dhe arbitrit të katërt. Por, çfarë ndodhi dhe pse situata u bë qesharake? Emrat që u dërguan ishin ai i Enea Jorgjit si gjyqtar kryesor, Rejdi Avdos dhe Ridiger Çokajt si asistentë dhe Juxhin Xhajës si gjyqtar i katërt, raporton “panorama sport”.

Problemi qëndronte te arbitri i katërt, Juxhin Xhaja, i cili ende nuk e ka marrë stemën e FIFA-s. FSHF e dinte mirë këtë, por në pamundësi të një gjyqtari të katërt me stemën e FIFA-s menduan se mund të tolerohej. Mirëpo, ndodhi ajo që në kësi rastesh përbën një skandal dhe cenon rëndë marrëdhënien me institucionin më të lartë të futbollit në botë.
Jorgji-Avdo-Cokaj-470x342
“Jemi të detyruar t’u kthejmë mbrapsht këto emra, pasi konstatojmë se një prej arbitrave nuk është në listën e FIFA-s. Ju lutem korrigjoni sa më shpejt gabimin”, – citohej ndër të tjera në shkresën që FIFA i ka dërguar FSHF-së. Pas këtij refuzimi, mësohet se përgjigjja e institucionit të futbollit shqiptar ka qenë epike.

“Ju mirëkuptojmë, por nuk kemi aktiv asnjë arbitër tjetër kryesor që ka stemën e FIFA-s”, – mësohet t’i ketë thënë FSHF-ja qeverisë së futbollit. Duke qenë se në muajin prill u pezulluan pa afat kryesorët Andi Koçi dhe Lorenc Jemini, të cilëve më pas iu hoq edhe stema e FIFA-s, i vetmi ndërkombëtar mbeti Enea Jorgji.
Mirëpo, FIFA nuk toleron për ndeshjet eliminatore të Botërorit dhe Europianit që një arbitër i katërt të mos ketë stemën e FIFA-s. Për më tepër, kërkohet që për ndeshje të këtij niveli, edhe pse mund të jesh arbitër i katërt, duhet patjetër të jesh kryesor dhe detyrimisht me stemën e FIFA-s.
Andi-Koci-foto-470x345
Në këto kushte FSHF-së i mbeti vetëm një zgjidhje për të mos u turpëruar, të huazonte një arbitër nga kampionati kosovar. I vetmi i disponueshëm ishte Genc Nuza pasi Kosova nuk disponon një arbitër të dytë me stemën e FIFA-s.

Kësisoji, Komisioni i Caktimit të Arbitrave në FIFA ka pranuar dhe të shtunën zyrtarisht në San Marino-Irlandë e Veriut, kryesor do të jetë Enea Jorgji, asistentë Rejdi Avdo dhe Ridiger Çokaj, si dhe gjyqtar i katërt, kosovari Genc Nuza.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb