Ish-kreu i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Ylli Zyla, ka mbështetur ankesat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, për mosfunksionimin e radarëve në det për kapjen e skafeve me drogë.

Zyla thotë se Çako ka të drejtë pasi prej dy vitesh sistemi i radarëve nuk funksionon si duhet, dhe në 50 raste, ka mundur të sinjalizojë vetëm 5, tre prej të cilave kanë qenë të pakoordinuara, shkruan BalkanWeb.

“Çako ka të drejtë kur thotë se sistemi i radarëve nuk po funksionon si duhet.  Problemet kanë nisur në vitin 2015, kur sistemi qëndror u ndryshua pasi u dogjën në atë qendër. U vendos një sistem tjetër, që nuk është i licencuar. Sot ky sistem është problematik, ku  në 50 goditje që janë bërë, vetëm 5 kanë pasur sinjalizim nga radarët. 3 nga këto ka qenë të pakoordinuara mirë. Mjetet lundruese të policisë kanë ndjekur njëri-tjetrin,” tha Zyla.

Ish-kreu i SHIU shtoi gjithashtu se brenda Ministrisë së Mbrojtjes ka ndodhur një mega-korrupsion.

“Është një mega-korrupsion brenda Ministrisë së Mbrotjes. Si pasojë dëmtohet siguria kombëtare, dhe e vendeve të NATO-s. Prishet imazhi i Shqipërisë në botë për vite me radhë. Ky është dëmi që i ka shkaktuar Kodheli dhe të tjerët që vijnë pas saj,” tha ai.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb