FIER- Ujësjellësi i Fierit të faturon edhe nëse ti nuk ke një kontratë uji me ta. Ndonjëherë të faturon për ujë të harxhuar, edhe pse ty nuk të vjen uji në shtëpi, herë tjetër të sjell vetëm tarifën mujore, duke të bërë debitor, pa pasur nevojë për ndonjë kontratë. E nëse kjo është shkelje, ata nuk mund të anulojnë kontratën fiktive, pasi u cilësohet dëm ekonomik dhe duhet ta paguajnë vetë. Kështu i ka ndodhur edhe qytetarit Bedri Hasani, i cili është ankuar në Fiks Fare, pasi autoritetet e ujësjellësit të Fierit nuk i kanë dhënë asnjë zgjidhje.

Bedri Hasani ankohet se ndërmarrja e ujësjellësit në Fier dërgon faturat e ujit në shtëpi, që e ka në ndërtim në Fier edhe pse ai nuk ka lidhur një kontratë me këtë ndërmarrje. Ai nuk banon në Fier që nga viti 2009 dhe në banesën e re që ka ngritur nuk e ka të lidhur me sistemin e ujësjellësit. Madje për këtë nuk janë shtrirë as tubacionet e ujit. Ndërsa ndërmarrja e Ujësjellësit Fier e ka faturuar që nga viti 2010 me fatura afrofe dhe në disa muaj e ka faturuar atë vetëm me tarifën e shërbimit të mirëmbajtjes së rrjetit.

Ndërsa deri më sot ai në asnjë moment nuk ka marrë asnjë pikë ujë nga kjo ndërmarrje. Edhe pse ai ka bërë denoncim për këtë faturim të padrejtë në ndërmarrjen e ujësjellësit Fier, vlera e debisë i ka kaluar 600 mijë lekë të vjetra. Gazetarët e Fiksit shkuan e panë banesën që e ka në ndërtim Bedri Hasani ku shihet që banesa nuk ka ansnjë lidhje me ujë. Kështu që bashkë me z.Hasani gazetarët iu drejtuan ndërmarrjes së ujësjellësit Fier, ku takuan shefin e faturimeve. Gjatë komunikimit me qytetarin dhe gazetarët e Fiks Fare, shefi i faturimeve thotë se ai ka një kontratë të hapur që nga Marsi 2010.

“Me apo pa dijeninë e tij, në nuk e dinim çfarë proceduarash ndiqeshin tek ujësjellësi për hapjen e një kontrate. Nuk kam qenë këtu, po të kisha qenë këtu do të thosha që keni ose jo dijeni. Ka qenë për një farë kohe tarifë, kur them tarifë, tarifë shërbimi. Atëherë ka pas qenë 1200 lekë (të vjetra), tani është bërë 2 400 lekë (të vjetra). Ka kaluar afrofe, që jam i bindur që ata që e kanë kaluar afrofe kanë konstatuar diçka, që do të thotë, ose kanë konstatuar një lidhje uji, ose diçka të tillë. Unë nuk e disponoj, ose më saktë ne si ujësjellës nuk e disponojmë atë procesverbal, që është konstatim. Sepse asgjë nuk kalon me fjalë, që unë të them kaloje këtë, kaloje kështu. Kjo ka ndodhur për efekt të përmbytjeve që na kanë ndodhur në tetor të vitit të shkuar dhe problemeve që kemi pasur më herët, po fola për problemet e fundit, meqë ishte përmbytja”, mbrohet shefi i faturimeve.

Fiksi e pyet se meqë kontrata nuk ekziston, si ka mundësi që vazhdohet të tarifohet për shërbimin, por shefi i faturimeve thotë se ai do të vazhdojë të mbetet debitor, pa i dhënë asnjë zgjidhje.

Gazetarët e Fiksit takuan edhe shefin e sektorit të shitjeve tek Ujësjellësi Fier, i cili edhe pse e pranon se mund të jetë gabim, ai shprehet se qytetari duhet të paguajë debinë, ose të shkojë në gjykatë. Shefi i sektorit të shitjeve në UKF, Endrit Gjikondaj, deklaron se nga të dhënat në sistem rezulton se qytetari ka bërë një kontratë që në vitin 2010, por ai nuk e disponon këtë kontratë fizikisht, vetëm në sistem kompjuterik.

Në këto kushte, ai thotë nuk mund të mbyllë kontratën, pasi duhet paguar e gjithë debia e këtyre viteve. Pavarësisht se mund të jetë bërë gabim në të shkuarën, ai duhet të ketë një vendim të asamblesë së UKF-së, ose vendim të formës së prerë në gjykatë, për të mbyllur kontratën. Ndryshe, debia e tij i faturohet si dëm ekonomik, prandaj nuk mund të bëjë një veprim të tillë. Ai thotë se ka edhe të tjerë që kanë shfaqur të njëjtin problem, por që disa kanë pranuar të paguajnë debinë, ndërsa të tjerë të ndjekin rrugët gjyqësore.tch

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: