Mbrëmjen e së hënës Fiks Fare denoncoi falsifikimin e një akti ekspertimi, që nxori të pafajshëm doktorin Gjergj Çaushi, që akuzohej për mjekim të pakujdesshëm.

Mjeku ortoped Pëllumb Karagjozi, në datën 25 janar 2017, ishte pjesë e një grupi që vlerësuan gjendjen shëndetësore të pacientit Armir Rada. Por, në këtë datë, doktori ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bashkëshortja e tij, në një bisedë me gazetarët e “Fiks Fare”, konfirmoi se, që nga fillimi i muajit janar, e deri në javën e parë të muajit shkurt, ata ndodheshin në SHBA. Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar doktor Pëllumbin që të “firmosë” Aktin e Ekspertimit, për çështjen ndaj ish-vartësit të tij.

Pas këtij akti, Gjykata e Tiranës vendosi të shpallë të pafajshëm doktorin Gjergj Çaushi, i cili akuzohej nga një pacient se i kishte lënë punton në këmbë. Madje, në një bisedë mes doktorit dhe babait të pacientit, bisedë të regjistruar nga vetë doktori, ai i thoshte se “të jap 1 milionë, e…”.

Denoncimi i pacientit
Në redaksinë e “Fiks Fare” u ankua qytetari Armir Rada, 30 vjeç nga Tirana. Ai tha se ka pësuar aksident në vitin 2011 dhe ka vendosur pllaka poshtë gjurit, me operacion në Spitalin Ushtarak. Operacionin e ka bërë me doktor Gjergj Çaushin. Pas 1 viti, vendosi që të heqë pllakën, operacion i cili u realizua në korrik 2012. Operacionin ia bënë me narkozë spinale, ku pacienti është i zgjuar.

“Në momentin e mbylljes së operacionit dëgjova dikë që i tha doktorit që kemi harruar diçka brenda. Doktori tha nuk ka asnjë problem, plaga është e pastër dhe mund ta qepni. Pas 3-4 muajsh kisha shumë djersitje. Bëra analiza. Treguan se kisha infeksion, e kisha sedimentin shumë të lartë. Shkova përsëri në Spitalin Ushtarak. Në grafi panë që kisha diçka në kockë. Grafia tregonte një copë metali të mbetur brenda në kockë. Bëra grafi edhe në një spital tjetër, që vërtetoi se kisha një punto në kockë” thotë Armiri. Ai thotë se më pas ka takuar doktorin.

“Më tha se je leshator dhe që më është kthyer qimja. Infeksionin e ka shkaktuar një qime. Më tha janë gjëra që u ndodhin gjatë operacionit. Kam bërë disa muaj mjekime dhe u mbyll plaga, por infeksionin e kisha. Shkova në Selanik dhe doktorët më thanë që duhet të hiqja punton se kisha infeksion në kockë. E hoqa në Selanik”, vijon Armiri.

Në fund, pas gjithë këtij kalvari, tregon se aktualisht duhet bërë një ndërhyrje tjetër për tendinat dhe meniskun, të cilat janë këputur gjatë operacionit.

“Doktori në SHBA, ekspertizë në Shqipëri”
Për “Fiks Fare” foli edhe babai i Armirit, Arbeni. Ai tha se, pas gjithë kalvarit që tregoi djali, i ka shkuar doktor Gjergj Çaushit, pasi i dilnin analizat shumë keq.

“Doktori më tha që ka reumatizëm. Më tha të mos dëgjoj ç’thonë të tjerët. Kur i tregova grafinë më tha nuk është ndonjë gjë, një punto e thyer, ne kështu e kemi”, thotë Arbeni.

Ai tha se, pas operacioneve, djalit i hapet një plagë dhe e mjekuan për disa muaj.”Kur u ktheva nga Greqia, hoqa punton. Shkova te doktori. I thashë operacionin do e bëj jashtë dhe shpenzimet do t’i heqësh ti. Më tha lërë se do e bëj prapë unë. Ai më tha, mesa duket puntoja ka qenë ajo që ka dhënë infeksionin. Më ka inçizuar vetë doktori. Ia ka dhënë avokates. Unë nuk e kuptoj pse më ka regjistruar. Lekët do ia kërkoj unë. I them doktorit që kaq më ka shkuar shuma. Më tha të jap 1 milionë lekë për ta mbyllur hesapin bashkë. Nuk pranova, i thashë do e vazhdoj në rrugë të tjera”, thotë Arbeni.

Ai shton se bëri kallëzim penal për mjekun, me akuzën e mjekimit të gabuar. Prokuroria e mori të pandehur dhe e dërgoi në gjykatë. Gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm, pasi u bazua te një akt ekspertimi.

“Akti është bërë në datën 25 janar 2017 nga doktorët Ilia Mazniku, Panajot Boga dhe Pëllumb Karagjozi. Doktorët nuk e panë fare djalin tim. Madje, një nga doktorët, Pëllum Karagjozi, në datën 25 janar 2017 ka qenë në SHBA, ndërkohë që ka firmosur edhe Aktin e Ekspertimit. Unë mbaj përgjegjësi të plotë për çka deklaroj” thotë Arben Rada.

Bashkëshortja e doktor Pëllumb Karagjozit
Gazetarët e Fiks Fare tentuan të kontaktonin me doktor Pëllumb Karagjozin. Në zyrën e tij, në afërsi të Pazarit të Ri në Tiranë, ndodhej bashkëshortja e tij.

Ajo tha se doktori është i lodhur, pas një udhëtimi të gjatë. E pyetur nëse më 25 janar 2017 ndodheshin apo jo në Shqipëri, ajo tha se kanë ikur nga Shqipëria në fillim të muajit janar, kur ishte shumë ftohtë. “Kemi ikur në SHBA në fillim të janarit dhe u kthyem në javën e parë të muajit shkurt” thotë ajo, ndërkohë që këqyrja e pacientit Armir Rada është bërë në datën 25 janar 2017. Më tej ajo thotë se bashkëshorti i saj është i moshuar dhe mund t’ia kenë vënë të tjerët firmën, për të mbyllur edhe hesapet.

Ndërkohë, gazetarët e Fiksit kontaktuan edhe me doktor Gjergj Çaushin, aktualisht shefi i pavionit të ortopedisë në Spitalin e Traumës në Tiranë (Spitali Ushtarak). Doktori nuk pranoi të jepte një intervistë, në lidhje me akuzat e familjes Rada, ndërsa pohoi se çështja është në gjykatë.

***

Përgjimi/ Biseda mes qytetarit Arben Rada dhe doktorit Gjergj Çaushi

Qytetari– Tashti këto janë të gjitha kontrollet, që nxjerr se janë plotë, e fundit fare që ka dhënë deri këtu, që ta dini ju çfarë po ndodh, kjo është përkthimi që e ka bërë në anglisht. Që ta dini. Kjo është punto, kjo është punto. Shpjegimi i doktorit është kjo këtu. Gjë të cilën ma thonë edhe doktorë të tjerë.Që ky ka ostimilikë. Ka kaluar në ostimilikë.

Mjeku– Mund ta shoh një fotografi? Apo s’ke.

Qytetari– Po, sa të duash. Plaga ka filluar direkt pas kësaj. Erdha këtu më thatë që ka qime, të kujtohet?
Mjeku– Jo qime, folipolite e quajmë ne.

Qytetari– Jo, jo, ti më ke thënë ka qime.

Mjeku– Po nejse mo, qime ka ai, s’është se s’ka qime.

Qytetari– Jo, s’është nejse.

Mjeku– Po qime ka se folipolite është infeksioni në qime.

Qytetari– Më the është kthyer qimja mbrapsht dhe ka bërë infeksion.

Mjeku– Folipolite pra quhet.

Qytetari– Nga një vrimë e vogël që e kishte te ju, u bë kjo plagë e u hap. Është bërë me koreta me peta ouuu ai e di ç’ka heq. Ka shku në Greqi. Greku gjithmonë ta kam thënë edhe njëherë më duket a ndoshta se mbani mend, prapë me atë mendim. Duhet të heq punton, se pa heq punton këtu tha nuk kemi gjë. E hoqëm punton, është ajo përgjigja që ju e lexuat, që të thashë andej këtej. Këto janë faturat andej këtej, ç’rëndësi ka.

Mjeku– Po, po. Që në atë momentin e parë që u operua, ajo punto që ne punojmë si të gjithë, pavarësisht nga komentet.

Qytetari-Nuk merrem fare, nuk merrem.

Mjeku– Në atë moment, kur djali aq sa ishte me peshë ka punuar me zhgutë këtu, zhgutë i themi ne llastikë.

Qytetari– Uuuu qe mbrapa shumë ajo.

Mjeku– Prit, prit. Po të kuptoj në operacion. Domethënë, dëgjo një çik. Je i kushtëzuar edhe në operacion, kur ti konstaton që të është thyer një punto, që për hatër të tërë asaj traume që është aty, ti të zgjidhësh traumën. Sepse ne fusim hekura brenda, lëmë hekura brenda, lëmë vida brenda. Ka që i mbajnë tërë jetën, ka që i heqin.

Qytetari– Po më fal.

Mjeku– Prit ta mbaroj.

Qytetari– Jo prit një minutë të mbaroj se mos e harroj. Minimalisht, jo mua, jo djalit, kolegut tat do t’i thoshe kam thyer një punto brenda, se kishe bërë këtë punë.

Mjeku– Po është në grafi more.

Qytetari– Jo, po se ke bërë mo doktor. Se ke shpjeguar fare.

Mjeku– Kjo grafi flet qartë që, përveç hekurave të sintezës, pllaka, vida, ka dhe një punto të thyer që ka ngelur brenda. Pra, ne deri në atë kohë, nuk kishim asnjë të dhënë që kjo majë punto e thyer ka përbërë problem. Deri sa hoqëm hekurat. Apo jo? Është kështu?

Qytetari– E kishim një kështu, po deri sa hoqëm hekurat, jo.

Mjeku– E pra.

Qytetari– Kishim vetëm sqarimin e Amirit.

Mjeku– Ajo është tjetër gjë.

Qytetari– Thyerja e gjurit.

Mjeku– Unë ta thash që në fillim që u hoq, edhe këtu e kishim heq në atë moment kur kishe ardh. Por unë mbaj mend, që ta mbaroj fjalinë time unë, që ti kur erdhe në një nga këto rastet këtu, më the o Gjergj unë kam humb besimin tek ty. Nuk më erdhi më mua djali këtu, Unë mendova se këtu fillon gjithë çalimi, te maja puntos. Ajo te maja puntos që ngeli, që prish.

Qytetari– 2 centimetra.

Mjeku– Mirë mo, s’ka rëndësi. Ngeli mo, nuk po them unë. Unë jam përpjekur maksimalisht të bëj aq sa di unë më të mirën. Natyrisht siç e kam bërë. Ndodhi kjo që ndodhi që ka. Ja ta tregova unë atë që ka thyerje të puntos, thyrje të vidave. Ne operojme dhe ngelet vida tërë jetën brenda. Kur vjen ajo mbas 50 vjetëve thotë kam 2 vida. Po do t’i heqim i them, do t’i bëjmë. Te ky, ndoshta, ndoshta a e vërtetë, dha ajo. Dhe fakti që u pastrua, mundet që ajo ka qe ë dhe objekti.

Qytetari– Po pse nuk e beson ti?

Mjeku– Jo e besoj pra. Ndoshta.

Qytetari– Si ndoshta. Ajo është logjike.

Mjeku– Ndoshta ishte ajo thashë unë, fakti që u qetësua, që po themi është mirë, thanë që është mirë, del që ajo ka qënë objekti që duhej hequr. U hoq.

Qytetari– Në moment që t’i e pe mund ta hiqje atë punton?

Mjeku– Jo, në fillim? S’kisha aparat.

Qytetari– Më thuaj si do veprojë? Janë shpenzime, unë kam marrë borxh për fëmijën. Në momentin që kam shkuar. Po të kishte dëgjuar, me këtë që ka bërë 8 orë, nuk do kishte vuajtur kaq shumë. Tashti më thuaj?

Mjeku– Më thuaj ti.

Qytetari– Ça të them unë, unë ta thash. Të gjitha këto janë shpenzime.

Mjeku– Mirë, janë. E mira do ishte mos ta kishte thyer, mos kishim fare.

Qytetari– Është faji im që bëri thyerje?

Mjeku– Jo, jo e mira do qe thashë, mos të kishte ndodhur. Tani që ndodhi, i heqim puntot. Ne jemi në spital shtetëror.

Qytetari– O Gjergj, nuk i hyj fare asaj valleje se me çfarë punto e ke bërë, e si e ke bërë.

Mjeku– Po s’ka… i sjellin ata që i sjellin.

Qytetari– Dihet ajo.

Mjeku– Unë punoj në shtet.

Mjeku– Dhe i sjell ai që i sjell dhe me atë punto do punoj unë. Nganjëherë puna shkon kështu, nganjëherë puna shkon dhe ashtu. Fati që kjo u zgjidh përfundimisht mirë. Fati që u zgjidh mirë. Natyrisht unë e kuptoj këtë që po thua ti, ka një kosto, se këtë po mua thua.

Qytetari– Nuk është e pakët.

Mjeku– Nuk e di.

Qytetari– Është rreth 15 mijë euro doktor.

Mjeku– Më vjen keq që kjo është një incident, a si ta quaj unë ty që u infektua…ndërlikim.

Qytetari– Vije emrin si të duash është e ndodhur, ti vija emrin si ta kesh qejf.

Mjeku– Ka që ndërlikohen, ka që bëhën, por ama më vjen shumë keq që u shkëpute nga unë. Unë me atë shifër që thua ti, unë nuk ëëë..

Qytetari– Mendoje, më zbut pak, më zbut.

Mjeku– Ti thua një shifër që…

Qytetari– Po mo, i ke të gjitha me letra i ke, vetëm operacioni…

Mjeku– Po nuk po them unë. Janë gjëra që ndodhin thashë.

Qytetari– Sa mendon?

Mjeku– Ta thash dhe njëherë më mirë të mos ishte thyer fare.

Qytetari– Iku ajo punë, iku ajo pjesë.

Mjeku– Jo mo ja të them. Të jap 1 milion lekë?

Qytetari– Rrofsh faleminderit. Atëherë do t’i drejtohem rrugëve të tjera./Top Channel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb