Kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili është shkarkuar nga qeveria. Shkarkimi është njoftuar nga zyra për shtyp e Kryeministrisë për shkelje të rënda të etikës në punë të kryebashkiakut të qytetit verilindor.

Pas shkarkimit, Policia e Peshkopisë ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për Shukri Xhelilin, ish­-kreun e Bashkisë së Dibrës. Uniformat blu e kanë marrë Shukri Xhelilin nga banesa e tij mëngjesin e sotëm dhe e kanë shoqëruar në polici, dhe më pasi ai është marrë në pyetje lidhur me çështjen.

Shkarkimi u bë pas publikimit mbrëmjen e të enjtes të një video-skandali, ku kryebashkiaku i kërkonte favore seksuale një vajze 20 vjeçare me qëllim për t’i rritur rrogën. Videoja u publikua në emisionin “Të Paekspozuarit”.

Pak muaj më parë, një vajzë 20-vjeçare u paraqit në redaksinë e Ora News për të bërë një denoncim për një kryetar bashkie në një qytet të Shqipërisë. Pretendimi i saj ishte se Kryetari i kësaj bashkie i kishte premtuar se do t’i gjente një punë në administratën e bashkisë nëse vajza pranonte të kryente marrëdhënie seksuale me të. Denoncuesja nëpërmjet telefonit, kishte lënë takim në zyrën e kryetarit për t’i kërkuar një vend pune, teksa ai, sipas saj, i kishte kërkuar favore seksuale.

Policia ka sekuestruar pamjet filmike ndaj kryebashkiakut Xhelili, ndërsa Prokuroria e Dibrës ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të hetimeve për akuzat “Marrëdhënie seksuale duke shpërdoruar detyrën”, “korrupsion pasiv”, dhe “shpërdorim detyre”.

Në zgjedhjet për pushtetin vendor të 21 qershorit 2015, 56­vjeçari Shukri Xhelili, kandidat i Partisë Socialiste në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, mori 15.022 vota, ndërsa Ilir Krosi, i koalicionit të djathtë “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, mori 14.588.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: