Policët nga Sekretariati i Brendshëm i Tetovës që ishin pjesë e sigurimit të ndeshjes së Super Kupës në Shkup janë lënë pa bukë e ujë deri në orët e para të mëngjesit.

Ky shqetësim është ngritur nga shumë policë, një pjesë e vogël e të cilëve mezi kanë gjetur një pike ujë, për të shuar etjen natën e ndeshjes spektakolare ku temperaturat ishin rreth 40 gradë Celsius.
Shqetësimi është gritur edhe nga aktivisti, Arianit Xhaferri i cili i ka kërkuar ministrit të brendshëm Oliver Spasovski, të mbajë përgjegjësi.
“Policët nga Tetova që siguruan Super kupën në Shkup u lane pa bukë e ujë nga ora 08:00 deri në orën 02:00 të mëngjesit. A e di këtë zotëri Oliver Spasovsi? Edhe policët janë njerëz dhe duhet të kenë trajtim njerëzor.”
Ministria e Brendshme në ndeshjen e Super Kupës mes Realit dhe Manchester United në stadiumin “Arena Telekom”  ndërmorri masa të forta sigurie, duke blinduar Shkupin dhe duke vendosur regjim të posaçëm të qarkullimit të automjeteve dhe këmbësorëve për rrugët në afërsi të stadiumit.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se prej orës 08:00 e deri në përfundim të ndeshjes do të kishte kontroll të rreptë. Në gatishmëri ishin 2 mijë policë, nga shumë stacione policore të vendit, përfshirë edhe njësitet speciale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb