TIRANE– Prokuroria e Durrësit ka ndërtuar skemën se si ndodhi aksidenti i rëndë që i mori jetën taksistit dhe pasagjeres së tij mbrëmë pas mesnate në autostradën Tiranë-Durrës. Nga aksidenti tragjik humbën jetën 60-vjeçari Bujar Agalliu, shoferi i taksisë dhe 23-vjeçarja Elena Avdillari.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për ‘BalkanWeb’ se nga të dhënat e grupit hetimor thuhet se të dy automjetet kanë qenë me shpejtësi të lartë tej normave të lejuara, por mjeti tip ‘Benz’, me targa AA 060 SP që dyshohet se është shkaktar i aksidentit ka qenë me shpejtësi të madhe, mbi 200 km/orë.

Po ashtu mësohet se automjetet kanë pasur një distancë 600-800 metra larg njëri-tjetrit, por shpejtësia e madhe e ‘Benzit’ luksoz, ka bërë që ata të takohen para karburantit. Për pasojë, ‘Benzi’ ka goditur taksinë, dhe kjo e fundit është ngritur 3 metra lartesi dhe ka goditur tabelën e çmimeve të karburantit, e më oas ka fluturuar mbi 100 metra në ajër, duke u kthyer përmbys e copëtuar në krahun tjetër të karburantit.

Me t’u dhënë lajmërimi në tv se një ‘Benz’ me targa AA 060 SP ishte përfshirë në aksident dhe se drejtuesi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, pronari i mjetit Dardan Gjetaj nga Shkodra është paraqitur në policinë e Durrësit, duke dhënë dëshminë e tij. Ai ka thënë se mjetin tip ‘Benz’ me targa AA 060 SP ia ka shitur në muajin janar shtetasit Fatjon Zhaporja nga fshati Rragan i Tropojës, me banim në Tiranë. Gjetaj tha se kishte qenë në Mal të Zi dhe ishte kthyer mbrëmë natën në shtëpinë e tij.

Pas verifikimeve të policisë, rezultoi se ai ishte në Mal të Zi dhe nuk kishte të bënte me aksidentin. Gjetaj tha se nuk ishte bërë akt shit-blerja e mjetit, ‘Benz’ luksoz i viteve të fundit. Prokurori i çështjes nga ndërtimi i skenës së ngjarjes ka vënë re qe edhe mjeti ‘Benz’ i autorit, pasi ka përplasur taksinë është përplasur me bordurat e trafik-ndarëses së autostradës, ndërsa i janë çarë gomat dhe i kanë rënë disqet. Fatmirësisht shoferi, Fatjon Zhaporja, që dyshohet se ka qenë bashkë me një tjetër person, kanë shpëtuar pasi ‘Benzi’ ishte i fortë. Ndërkohë çanta me sende persona të viktimës, është sekuestruar nga policia e Durrësit. Si Policia e Tiranës dhe ajo e Durrësit po punojnë për të gjetur autorin e aksidentit dhe për të verifikuar rrethanat e ngjarjes. Pas aksidentit, edhe makina e personave përgjegjës ngeli e dëmtuar, ata u larguan nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, dyshohet se ata mund të kenë qenë të dehur. Burime nga grupi hetimor bënë me dije se nga kryerja e rrethanave të ngjarjes, kemi të bëjmë me një aksident automobilistik.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: