Skuadrat shqiptare mund të kalojnë direkt në turin e dytë të Ligës së Europës nëse shorti i vë përballë bullgarëve të CSKA të Sofjes. Edhe pse kjo skuadër gjendet në vazot e shortit të turit të parë, brenda dy javësh ajo do të mësojë nëse do të mund të marrë pjesë në këtë turne, apo nëse do të përjashtohet nga aktivitetet europiane deri në vitin 2019.

Gjithçka ka lidhje me licencën për të marrë pjesë në Europë, pasi klubi e ka siguruara atë nga Federata Bullgare, por UEFA i është kundërvënë duke ia refuzuar, për shkak se CSKA Sofja është një klub i ri, i krijuar vetëm një vit më parë.
Klubi i vjetër me emrin CSKA Sofja falimentoi në vitin 2015 dhe përfundoi në kategorinë e tretë, te amatorët. Atje luajti një vit, ndërsa fitoi Kupën e Bullgarisë, por nuk mund të luante në Europë për shkak të rregulloreve të UEFA-s për klubet e falimentuara.
Presidenti i klubit, Grisha Gançev, një vit më parë shkriu skuadrën e Liteks me CSKA Sofja, duke ringjallur klubin e vjetër dhe tentuar të anashkalojë problemet ndërkombëtare. Por UEFA ka një rregull që brenda tre vitesh pas falimentit nuk mund të ndryshosh emërtim, apo formë të klubit për të pastruar financat, ndaj CSKA Sofja nuk u regjistrua dot në Kupat e Europës.

Klubi siguroi në këtë sezon përsëri të drejtën për të luajtur në Europë, pasi apeloi në KAS dhe  ky i fundit ia ka mundësuar, meqë Federata Bullgare ia ka dhënë licencën për ta bërë një gjë të tillë.
Nesër, Komisioni i Fair Play FInanciar në UEFA do të nisë procedurat e reja kundër CSKA Sofjes, sepse ka thyer rregullat e licencimit dhe brenda dy javëve të ardhshme do të vendosë nëse ky klub do të marrë pjesë në sezonin 2017-2018, apo nëse do të përjashtohet edhe për dy sezone. Sipas precedentëve të mëparshëm, rregulli i tre viteve është i pakthyeshëm ndaj pritet përjashtimi i CSKA Sofjes nga Liga e Europës.

Kësisoj, nëse skuadrave shqiptare do u bjerë në short skuadra bullgare, e cila për momentin është e pozicionuar në vazon e të fortëve, shumë lehtësisht mund të kalojnë turin pa luajtur asnjë ndeshje. Në rastin më të keq, do të luajnë ndaj ekipit Dunav 2010, i cili mbylli kampionatin bullgar në vendin e katërt, duke mos arritur të kualifikohet në Ligën e Europës.
Në vitet e kaluara, përballjet shqiptaro-bullgare në aktivitetet europiane kanë qenë të shpeshta pasi UEFA i përfshin zakonisht në të njëjtën ndarje gjeografike që krijon për shortin./PanoramaSport
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb