Nga Erion Shkambi- Skënderbeu e mbyll me humbje aventurën e dytë evropiane duke mos iu shkëputur “traditës” shqiptare të minutave të fundit, por lë pas një trashëgimi të artë. Imazhi që ka krijuar klubi korçarë është tashmë një realitet i cili po respektohet gjithnjë e më shumë nga kundërshtarët.

Ky nuk ishte fundi që Skënderbeu meritonte por korçarët largohen me kokën lart dhe me xhepat plot. Mbi 4 milionë euro kanë përfituar nga ky rrugëtim evropian që nisi me sfidën kundër Sant Hulias dhe përfundoi të enjten kundër Young Boys.

Askush më parë nuk ishte arritur të kalonte në fazën e grupeve në “Europa League” duke likuiduar katër kundërshtarë në turet paraeliminatore, dhe kundërshtarë me shumë emër në futbollin Evropian. Nëse vetëm pjesëmarrja në fazën e grupeve në këtë formë ishte një sukses i jashtëzakonshëm, Skënderbeu e dërgojë pjesëmarrjen e tyre në këtë vitrinë të rëndësishme në një stad tjetër duke grumbulluar 5 pikë, një fitore kundër Dinamo Kiev dhe dy barazime kundër Partizanit të Beogradit dhe Young Boys.

Skënderbeu diti ta shfrytëzonte në maksimum këtë rikthim në Evropë duke promovuar dhe disa nga talentet e tyre të cilët u kthyen në objekt të merkatos dhe pritet që ti sjellin klubit shumë të ardhura. Kjo paraqitje në “Europa Ligë” merr dhe më shumë vlera pasi Skënderbeu ruajti balancat duke kryesuar Superligën me një diferencë shumë të madhe nga ndjekësit. Falë këtyre paraqitjeve, Skënderbeu është kthyer në një model suksesi.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb