TIRANE- Përveç debatit për mbulimin apo jo të bustit të Skëndërbeut gjatë faljes së Namazit të Bajramit mëngjesin e 1 shtatorit në Tiranë, shkrimtari i madh Ismail Kadare është pyetur gjatë intervistës ekskluzive për ‘Studio e Hapur” në News 24 edhe për debatin që shpërtheu në mes të korrikut, pasi Mustafa Nano hodhi tezën se nëna e Skënderbeut ishte serbe.

-Pati polemika, a e cenon figurën e Skënderbeut ideja se e ëma ishte serbe?
“Fare, fare hiç. Se harrojmë ne shqiptarët e historianët tanë të sotëm që tërë dinastitë dhe familjet e mëdha europiane feudale mbretërore, bënin krushqi me njëra-tjetrën. Pra, princeshat e mbretëreshat, shumica dërrmuese janë me gjak të përzier. Krushqitë kështu bëheshin, mbretërit bëheshin me mbretërit fqinjë. Si e harrojmë ne këtë gjë, s’e kuptoj dot. Të bësh krushqi do të thotë të ndërrosh gjakun, të përzihesh me tjetrin. Të jetë nëna e huaj është normale, shumica e mbretëreshave janë të huaja. Nuk thotë njeri që bën fëmijët e ata i përkasin popullit tjetër.

-Kjo është e vërtetë, por në atë kohë martesat mes etnive siç thoni ju ishin të zakonshme, por jo ndoshta mes feve të ndryshme. Të paktën kështu thotë edhe Mustafa Nano. Çfarë është sipas jush më shumë Skënderbeu, shqiptar apo i krishterë?
Skënderbeu është një shqiptar i krishterë, ose një i krishterë shqiptar, por ai është i të gjithëve dhe fakti është që 500 vjet histori shqiptare nuk e ndau figurën e tij. Herë e parë që ndahet sot.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb