Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Skënderbeu si simptomë përçarjesh fetare

12744732_1103717842994669_748027101642822166_n

Nga Çapajev GJOKUTAJ
Në rrafsh mediatik, kjo verë kaloi nën shenjën e një diskutimi shterp për Skënderbeun. Ishte shterp se nuk solli gjë të re. Nuk është se u zbuluan p.sh., fakte të panjohura nga jeta e heroit. Gjithnjë faktet e reja dhe të rëndësishme ridimensionojnë një imazh, me të cilin jemi familjarizuar dhe doemos, që krijojnë trazim. Diskutimi, jo vetëm që nuk solli ndonjë fakt të rëndësishëm, por nuk pruri qoftë edhe ndonjë detaj a hollësi që nuk njihej. Thënë ndryshe, ky diskutim behari nuk ndryshoi as edhe një qime floku në figurën e Skënderbeut.

Tingëllon shumë e çuditshme: Skënderbeut nuk i hyri gjemb në këmbë, por grindjet e zhurmat u bënë sikur t’i kanosej ndonjë gjëmë e madhe apo, larg qoftë, sosmëja. Siç ndodh rëndom, të gjitha palët pretendonin se mbronin të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Mbrojtës të së vërtetës vetëquheshin edhe ata që pretendonin prejardhje puro shqiptare të heroit, por edhe ata që e gjenin me gjak të përzier. Edhe ata që thoshin se myslimanët mbuluan shtatoren e heroit, por edhe ata që e paraqitën si pasojë të nxitimit dhe pakujdesisë së organizatorëve.

Edhe ata që thanë se vendosja e ekraneve u bë nga që doktrina islame nuk e lejon faljen para imazheve njerëzore, por edhe ata që thanë se ekranet u vendosën që të mos përsëriteshin fotot me besimtarë që faleshin dhe dukej sikur kishin rënë barkas para Skënderbeut; foto tallëse e cinike të ngjashme me ato, që kishin qarkulluar në rrjet Bajramin e kaluar. Në fakt, mbronin interesin e vet apo të grupit ku bëjnë pjesë. Dhe këtu nuk ka ndonjë gjë të re.

Ligjërimet pretendojnë të thonë të vërtetën, por në fakt synojnë pushtetin mbi tjetrin, më së paku imponimin e ideve dhe argumenteve që përcjellin. Parë kështu, ky diskutim nuk ngjall ndonjë interes me ato që u thanë për heroin, por me motivet përse u thanë. Zjarrmia që e karakterizoi shërben si simptomë. Si puna e temperaturës. Të shtyn të hamendësosh për praninë e kësaj apo asaj sëmundjeje. Edhe zjarrmia e diskutimit të shtyn të mendosh për dobësi të shoqërisë dhe të ligjërimit tonë publik.

Këto dobësi nisin nga etika intelektuale dhe prirja për protagonizëm, vijnë te koncepti për lajmin shkencor e për debatin publik dhe ngjiten te ligjërimi për bashkëjetesën fetare. Për arsye vendi, po përqendrohemi vetëm te kjo e fundit.

2. Në mbarim të ditës, diskutimi për “mbulimin e shtatores” degjeneroi në “dilemën”: Skënderbeu ishte kështjellar i qytetërimit perëndimor dhe kalorës i krishterimit, apo ishte sahanlëpirës i venedikasve dhe bukëshkalë i sulltanëve osmanë? Me demek, me kristianët kundër myslimanëve, me ata kundër nesh. Kështu, heroi ynë kombëtar, që ka shërbyer dhe shërben si simbol bashkimi i shqiptarëve, u shndërrua tak-fak në të kundërtën, u bë vegël përçarjeje fetare. Dhe kjo ndodh në një vend që krenohet me bashkëjetesën mes feve.

Në fakt, bashkëjetesa shqiptare mes feve nuk është propagandë, por realitet. Vetëm se kjo bashkëjetesë është një dukuri e gjallë, jo dëshmi muzeale, e konservuar për sot e për mot. Si të gjitha gjërat e gjalla, i ka të dyja mundësitë: të rritet e të zhvillohet ose të degradojë e të kthehet në të kundërtën e vet. Kjo e dyta nuk është mundësi teorike. Realiteti i sotëm përmban një varg faktorësh që e favorizojnë. Sa herë përmendet bashkëjetesa fetare, na vijnë ndër mend imazhet e përsëritura që tregojnë përfaqësuesit e lartë të të katër feve kryesore, krahë përkrah në veprimtari të ndryshme publike.

Emblematike është bërë sidomos fotoja e Parisit, ku klerikët e lartë kanë venë në mes Kryeministrin Rama dhe, mes admirimit të shikuesve, shkojnë të marrin pjesë në marshimin kundër aktit terrorist ndaj Charlie Hebdo. Të gjitha këto imazhe janë të vërteta dhe përfaqësuese. Por nuk duhet të na shtyjnë të harrojmë se, krahas harmonisë fetare të shfaqur sidomos në rrafsh protokollar, mes feve në Shqipëri ekziston dhe një konkurrencë e fortë: konkurrenca për besimtarë. Institucionet fetare u rihapën në vitet ’90, pas çerek shekulli mbylljeje të detyruar, por nuk rigjetën të njëjtat grupe besimtarësh. Politikat ateiste agresive, martesat e përziera etj., i kishin zbehur sidokudo përkatësitë fetare.

Gjatë tranzicionit, kufijtë mes grupeve të besimtarëve u bënë më porozë e më të lëvizshëm edhe si pasojë e hyrjes së feve të reja si dhe e proselitizmit, që paçka se nuk para përmendet, ngjan se përbën trend jo të papërfillshëm. Të gjithë këta faktorë kanë bërë e bëjnë që konkurrenca mes feve për të ruajtur e zgjeruar grupet e besimtarëve, të jetë e fortë. Jo rrallë, kjo konkurrencë bëhet shumë vepruese dhe fqinjëron me akte, që cenojnë parimin e shekullarizimit, sepse ndërhyjnë në veprimtarinë e institucioneve shekullare

. Shembull domethënës për këtë është trazimi që krijoi në disa qarqe klerikale objektivi për të regjistruar edhe përkatësinë fetare gjatë censusit të vitit 2011. Rreth 14 % e banorëve refuzuan të deklaronin besimin fetar, gjë që solli shifra vështirë të besueshme, sidomos për numrin e ortodoksëve. Konkurrenca mes feve, si të gjitha konkurrencat, nuk është gjë e keqe. Bëhet e keqe dhe nxit tensione kur kthehet në tabu, kur injorohet ekzistenca e saj dhe opinioni publik ia merr gjumit nën hijen e bindjes se bashkë- jetesën mes feve e kemi shembullore. Në çdo fushë, heshtja, tabuja, errësira nuk gjenerojnë zhvillim, por infeksione e lëngata.

3. Sot e kësaj dite, nuk dimë sa shqiptarë bëjnë pjesë në grupin e jobesimtarëve, d.m.th. sa prej nesh janë ateistë, agnostikë apo besimtarë pa religjion, d.m.th. besimtarë që pranojnë ekzistencën e Krijuesit, por refuzojnë institucionet dhe klerikët. Censusi i 2011-s, konkludon se janë 8%, por siç e thamë, të dhënat e këtij censusi rreth përkatësisë fetare, janë të diskutueshme. Edhe sikur grupi i jobesimtarëve të jetë më i madh a më i vogël, njerëzit që e përbëjnë janë, si rregull, pjesa më e artikuluar e shoqërisë.

Madje, një sondazh, i kryer në ShBA, dëshmon se pjesëtarët e këtij grupi, janë jo vetëm më të formuar nga pikëpamja arsimore, por edhe më të informuar, madje edhe për çështje fetare. Thënë ndryshe, e njohin edhe dogmën fetare më mirë sesa besimtarët. Kjo bën që ndikimi i tyre në ligjërimin publik për punët e fesë të jetë dukshëm më i madh sesa i besimtarëve. Gjasat dhe shenjat janë që edhe në Shqipëri grupi i jobesimtarëve të jetë më aktiv e më ndikues.

Natyrisht, këtu nuk kemi parasysh rrjetet e mbyllura sociale ku shkruajnë e flasin besimtarët e kësaj apo asaj feje, por mediat kryesore, të hapura dhe shekullare. Dhe këtu zë fill një problem tjetër për bashkëjetesën tonë fetare. Pesha, dukshëm e madhe, e grupit të jobesimtarëve në krijimin e opinioneve për besimin krijon tension. Buron ky tension nga fakti se, marrë në përgjithësi, jobesimtarët tanë kanë një koncept thjeshtëzues për fenë. E reduktojnë te dogma fetare a supersticioni dhe lënë në harresë pjesë dhe funksione të tjera të saj, dukshëm më të rëndësishme se sa supersticionet.

Lënë në harresë p.sh. rolin e fesë si rregullator moral, ndikimin e madh të saj në krijimin e bashkësive, si dhe rolin thuajse të pazëvendësueshëm që feja luan në botën shpirtërore të individit, në krijimin e një ekuilibri shpirtëror që zbeh frikërat dhe ankthet ekzistenciale. Po qe se fetë nuk do të kishin këto funksione jetike për shoqërinë njerëzore, po qe se do ekzistonin vetëm si supersticion, numri i besimtarëve do ishte reduktuar ndjeshëm me përparimin e shkencës, armikut numër një të supersticionit.

Duke qenë se ateistët tanë priren ta kufizojnë fenë vetëm te supersticioni, ligjërimin e tyre në këtë temë e përqendrojnë te kundërvënia “fe–shkencë”. E parë ngushtë dhe e absolutizuar, kjo kundërvënie gjeneron një çift paradigmash në kontrast. Njeri bosht përbëhet nga “shkencë-dije–përparim”, kurse boshti tjetër nga “fe–padije–regres”. Vetëkuptohet se ç’marrëdhënie reale do të ketë mes dy grupesh, kur njeri e sheh dhe e përflet tjetrin si injorant e regresiv. Bashkëjetesa bëhet tejet e vështirë, kurse inatet dhe armiqësitë përmbysin ligjërimin publik.

4. Në fillim të viteve ’90, me rihapjen e institucioneve fetare, disa intelektualë të Tiranës rimorën idenë që shqiptarët bëjnë mirë t’i kthehen katolicizmit. Pati edhe ndonjë artikulim mediatik për kthimin “në fenë e të parëve”, madje u përfol se ishin bërë edhe disa konvertime alla Faik Domenik Konica. Shumë shpejt do të shihej se shndërrime të tilla, jo vetëm ishin të pamundura, por edhe se artikulimi i tyre në publik bëhej burim tensionesh dhe trazonte bashkëjetesën fetare.

Gradualisht, u bë e qartë se grupet e besimtarëve po ktheheshin më të zëshëm, falë lirisë reale të shprehjes dhe sidomos falë mediave sociale, që do të hynin më pas. Pala më e papërgatitur për rihapjen e institucioneve fetare rezultoi të ishte klasa politike. Vërtet kjo klasë e mbështeti me entuziazëm rikthimin, por duket se nuk pati ndonjë strategji largpamëse e të detajuar. Strategji që do të ruante çfarë ishte arritur në vitet ’20-’30 për krijimin e institucioneve fetare shqiptare, por edhe do t’u paraprinte situatave e do shtronte rrugë për sot e për nesër.

Vënia e kishës ortodokse shqiptare nën influencën greke dhe hapja e pamenduar ndaj ndikimeve salafiste, ishin dy lajthitjet kryesore të klasës politike. Mungesat e theksuara në klerin ortodoks vendas e bënin të domosdoshëm ardhjen e një kryepeshkopi të huaj. Pranimi i kryepeshkopit grek, me gjithë vlerat intelektuale që ka dhe kontributet që tashmë ka dhënë, krijoi dhe, herë pas here vazhdon të krijojë tensione në ligjërimin publik. Këto tensione ushqehen nga narrativja historike me helmime e çkishërime të patriotëve dhe klerikëve shqiptarë, por mbahen gjallë nga narrativa të reja, të tipit skandali me varret në Kosinë, çështja Guma, përdorimi i greqishtes në meshat me audiencë shqiptare etj.

Këto narrativa, që kalojnë nga rrjetet sociale në mediat elitare, madje edhe në letërsi e kinematografi, krijojnë klimë dyshimi e mosbesimi ndërfetar. Vetëkuptohet se në atmosferë të tillë e kanë lehtë të gëlojnë legjenda urbane për përzierjen e kishës në çështje të mirëfillta politike e shekullare si referendumi i vitit 1994, censusi i 2011-s etj. Roli i kishës ortodokse në këto raste dhe në të tjera të ngjashme, merr trajta ambigue e tinëzare. Klima e mosbesimit, mbushur me fantazma nga e kaluara, e nxit publikun e të besojë shumë nga ato që thuhen për tendencat helenizuese.

Të gjitha këto do të ishin shmangur sikur vendimmarrësit e shtetit shqiptar të qenë treguar më të urtë e më strategjikë. Të kishin këmbëngulur që ringjallja e kishës ortodokse shqiptare të bëhej me klerikë të ndonjë kishe tjetër autoqefale që, ndryshe nga ajo greke, të mos mbartte ngarkesa historike negative e të mos kishte konflikt interesi në çështje të sotme.

E kotë të qash mbi qumështin e derdhur, historia nuk zhbëhet. Megjithatë, njohja e gabimeve mbase na shërben që të kuptojmë realitetet e sotme dhe të jemi sa më esëll kur flasim për bashkëjetesën fetare si dukuri delikate dhe plot dritëhije. 5. Pasoja erozive për bashkëjetesën mes feve solli hapja e islamit shqiptar ndaj traditave salafiste të ardhura nga Arabia Saudite dhe më gjerë.

Natyrisht, jetojmë në një shoqëri demokratike dhe shekullare, ndaj besimtarët e kësaj apo asaj feje, të këtij apo atij grupimi a sekti, janë të lirë të zgjedhin drejtimin a nuancën religjioze, që dëshirojnë të besojnë. Problemi është se myslimanët shqiptarë nuk shkuan vetë te shkollat salafiste arabe, por i shpuri miopia e politikës. Të moshuarit, që e njihnin dhe e kishin praktikuar fenë, donin islamin turk, më i moderuar e më tolerant, rrjedhimisht shumë i përshtatshëm për një vend me shumë fe dhe për një shoqëri që, thuajse unanimisht, synon integrimin në botën euroatlantike. Por ngjarjet rrodhën ndryshe.

Nisur nga vështirësi të momentit, vendimmarrësit e shtetit shqiptar u hapën portat disa “ojf”-ve arabe që, siç u pa më pas, kishin prirje të theksuara fundamentaliste, madje ishin të lidhura edhe me terroristë të rangut Bin Laden. Target kryesor i punës së këtyre “ojf”-ve u bënë zonat e thella rurale ku, ofronin ndihma ekonomike për të varfrit dhe në shkëmbim kërkonin aderimin e tyre në traditën salafiste. Rreth 500 të rinj shqiptarë u dërguan në shkolla fetare saudite, malejziane, pakistaneze etj.

Shumica e tyre u kthyen dhe nisën punën si klerikë në xhamitë, që po ngriheshin me donacione arabe. Të hidhje në veprim disa qindra klerikë të rinj, të edukuar me frymën salafiste, nuk ishte pak për një vend si Shqipëria që, në fund të viteve ’90, kishte 600 e ca xhami. Dukej se islamit shqiptar s’i mbetej rrugë tjetër veç radikalizmit.

Pas sulmeve terroriste të shtatorit 2001, falë edhe presionit të aleatëve perëndimorë, shteti shqiptar përzuri “ojf”-të arabe, që ndërkombëtarët i kishin listuar për aktivitet terrorist. Të tjerat ikën vetë për mungesë fondesh. Në vitet që vazhduan, rolin e liderit për formimin e klerikëve shqiptarë e morën fondacione fetare turke.

Sot, duket se rreziku i radikalizmit salafist është kapërcyer. Klerikët dhe besimtarët që anojnë nga kjo shkollë janë në minorancë. Megjithatë, pasojat e hapjes së përkohshme ndaj salafizmit duket se do të vazhdojnë të trazojnë, si jetën e bashkësisë myslimane, ashtu edhe bashkëjetesën mes feve, d.m.th. gjithë shoqërinë. Rreziku më i madh ngjan të jetë ashtëzimi i një fraksioni të margjinalizuarish brenda bashkësisë së besimtarëve myslimanë.

Thënë ndryshe, ekziston mundësia që bashkësia myslimane të ndahet në dy grupe: të moderuarit që ndjekin traditën e islamit turk dhe radikalët, që udhëhiqen nga shkolla salafiste. Ka prirje që kjo ndarje të mos mbetet thjesht doktrinarë d.m.th. për çështje të besimit, mënyrës së faljes, zakoneve të martesës, shkallës së tolerancës etj., por të marrë edhe trajta sociale: te radikalët të përfshihen më të varfrit, të shkolluarit keq e të margjinalizuarit, kurse te të moderuarit-pjesa më e arsimuar dhe me status të pëlqyeshëm social. Nëse ndodh kështu, do të ketë trazime të mëdha.

Kur kufijtë fetarë vijnë e bien mbi kufij socialë, gjenerohen ndarje e përçarje më të fuqishme e më të dëmshme. Një varg rrethanash ekonomike e shoqërore bëjnë që të varfrit dhe të margjinalizuarit t’i kemi të shumtë. Me gjasë, ky ‘bollëk’ do vazhdojë edhe për shumë vjet. Si rregull, të margjinalizuarit ndihen të dobët, të diskriminuar e të nëpërkëmbur, kanë probleme të theksuara me identitetin, ndaj janë të prirur të identifikohen me grupime radikale, të cilat i perceptojnë si burim force, qëndrueshmërie dhe statusi social.

Përvoja botërore dëshmon se të margjinalizuarit, kur indoktrinohen nga fe fondamentaliste, shndërrohen në masë eksplozive dhe vënë në rrezik jo vetëm bashkëjetesën mes feve, por edhe vetë themelet e shoqërisë. 6. Këto dhe dukuri të tjera dëshmojnë se bashkëjetesa fetare, nuk është aq rozë sa paraqitet shpesh në fjalime dhe në protokolle festash. Ka sfida e tensioneve që burojnë nga faktorë të ndryshëm dhe përfshijnë pjesë të konsiderueshme të shoqërisë: fetarë dhe ateistë, kristianë dhe myslimanë, shtetin dhe institucionet fetare.

Për të shmangur acarimin e këtyre tensioneve nuk na bie të kërkojmë rrugë të pashkelura. Do ishte njësoj si të shpiknim rrotën. Historia dëshmon se mjeti më frytdhënës për të zbutur tensionet ndërfetare dhe për të ruajtur bashkë- jetesën, janë politikat shekullariste. Thënë ndryshe, besimi fetar të jetë çështje shpirtërore dhe zgjedhje individuale, kurse kufijtë mes politikës dhe fesë, mes shtetit dhe institucioneve fetare, të jenë të qarta, të pakapërcyeshme dhe të rregulluara me ligje funksionale.

Natyrisht, zbatimi praktik i këtyre parimeve nuk është i lehtë, kërkon vizion strategjik, diskutime të hapura e konstruktive si dhe veprime sa të matura, aq edhe të ligjshme. Sa për Skënderbeun, ka qenë dhe do të jetë përherë aty, gur themeli në identitetin shqiptar, faktor i pazëvendësueshëm bashkimi, paçka se ndonjë kërkon ta demonizojë si bukëshkalë e të pabesë, kurse ndonjë tjetër e quan Jorgo.

Diskutimet shterpë, si ky i verës që sapo shkoi, të kujtojnë thënien e të parit: mos i qaj hallin kalorësit se i varen këmbët. Bëjmë mirë që Heroin të mos e përdorim si kobure për të imponuar qëndrimin tim a tëndin. Hallet e ditës, përfshi dhe ato të bashkëjetesës mes feve, mund t’i sqarojmë me diskutime të drejtpërdrejta. Troç dhe me qasje konstruktive.


KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.