KORCE- Pas publikimit të një ngjarje të rëndë të ndodhur në 18 nëntor në Korçë, ku një 59-vjeçar u dhunua nga polici kufitar Gjergji Gjorgji, ky i fundit ka sqaruar ngjarjen. Në dëshminë e tij para Policisë, Gjorgji ka konfirmuar ngjarjen, duke u shprehur se ai fillimisht ai e ka keqkuptuar këtë veprim ndaj gruas së tij, dhe ka dashur ta sqarojë, por nuk e ka kontrolluar dot veten.

41-vjeçari deklaroi para grupit hetimor se i ka kërkuar edhe ndjesë të dëmtuarit, dhe se në asnjë moment nuk ka përfituar nga detyra lidhur me këtë ngjarje.

Por 59-vjeçari i dhunuar Ilia Terolli, thotë se veprimi i tij ka qenë thjesht një gjest mirësjelljeje, dhe është habitur nga reagimi i Gjorgjit.

Ndërkaq, Terolli ka kërkuar ndihmë nga policia, duke u shprehur se atij dhe familjes së tij po i bëhej presion dhe kërcënime.

Pas kësaj ka reaguar Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Korçë, e cila pasditen e së enjtes pezulloi nga detyra punonjësin e Policisë, inspektor Gjergji Gjorgjin, me detyrë ndihmësspecialist kontrollor në SPKM Pustec. Sakaq, ndaj 41-vjeçari ka nisur për “Plagosje e lehtë me dashje”, pas denoncimit të ngjarjes.

Denoncimi është bërë nga familjarët e të dëmtuarit dhe në ambientet e spitalit kanë mbërritur specialistët e SHÇBA­së dhe Prokuroria për të nisur hetimin. Ndërkohë që nga mjeku ligjor masakrimi i tij është klasifikuar si plagosje e lehtë.

“Pak ditë më parë ndaj tij, zyra e SHÇBA së Korçës kishte marrë një kallëzim nga shtetasi I.T., për ushtrim dhune psikologjike dhe fizike. Nga veprimet e para hetimore është konkluduar se ka pasur një konflikt fizik mes punonjësit të Policisë dhe kallëzuesit, por në momentin e konfliktit punonjësi i policisë nuk ka qenë në detyrë apo shërbim”, bëri të ditur Policia.

Hetimi ka zgjatur mbi dy javë dhe deri në momentin kur vetë i dëmtuari ka kërkuar ndihmë për të bërë publik rastin, nuk ishte marrë asnjë vendim konkret ndaj mbajtësit të uniformës shtetërore.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb